Mungojnë dy të akuzuar, shtyhet gjykimi për kontrabandë me emigrantë dhe krim të organizuar

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së B.D. dhe A.B., është shtyrë seanca gjyqësore në çështjen penale për kontrabandim me emigrantë ku akuzohen S.M., A.K., A.B., H.M., D.S., B.Z, B.D. dhe B.H.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, i akuzuari B.D është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë për një tretman mjekësor për një periudhë kohore prej me shumë se tre muajsh, gjendje të cilën sipas saj, e ka dëshmuar me dokumentacion mjekësor.

Kurse, lidhur me mungesën e të akuzuarit B., mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha ka deklaruar se i mbrojturi i tij mungon në këtë seancë pasi që i  njëjti gjendet në Gjermani.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësja Krasniqi-Jashanica, ju sugjeroj palëve që të negociojnë mes vete për të proceduar tutje me gjykimin, duke përmendur mundësinë e tërheqjes se prokurorisë nga vepra penale e krimit të organizuar.

Propozimin e gjyqtares e përkrahu edhe Prokurorja Speciale Fikrije Fejzuallahu, duke ju sugjeruar të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre që të i drejtohen me propozim ose kërkesë, për t’iu hapur mundësinë eventuale të një marrëveshjeje për pranimin të fajësisë dhe eventualisht tërheqjen prokurorisë nga akuza për krim të organizuar.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktuar për 18 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2013, S.M., A.K., H.M. dhe D.S. nga qershori 2011 e deri më 5 shkurt 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Siç pretendon prokuroria, të njëjtit i kishin gjetur emigrantët që kanë qenë të interesuar të shkojnë në vende të ndryshme të Evropës, pastaj ishin marrë vesh për çmimin që duhej të paguanin, që arrinte shumën deri në 3 mijë euro për person.

Tutje thuhet se emigrantët, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kanë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet e ndryshme të Evropës.

Në mesin e tyre, katër emigrantë i kishte gjetur i akuzuari A.K, 4 emigrantë i akuzuari H.M, e po ashtu 4 emigrantë i kishte gjetur S.M., e pastaj në bashkëpunim me D.S ua kishte falsifikuar dokumentet.

Për veprime të ngjashme në të njëjtën kohë, me veprën penale të krimit të organizuar lidhur me kontrabandim me njerëz por të mbetur në tentativë, prokuroria ka ngarkuar të akuzuarit tjerë, A.B, B.Z, B.D., B.H. dhe ndaj tani të ndjerit Xh.F.

Siç thuhet në aktakuzën e prokurorisë, ky grup ka vepruar në dy grupe të ndara, e në grupin e dytë, kanë qenë të përfshirë edhe katër të akuzuarit e parë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në këtë aktakuzë e ka përfshirë edhe A.L, ndaj të cilës është arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Ajo akuzohej se duke kryer detyrën e saj si zyrtare për letërnjoftime dhe pasaporta në zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Komunën e Mitrovicës, ka marrë ryshfet nga i akuzuari B.H.

Sipas prokurorisë Loxha, nga data e pavërtetuar e deri më 6 shkurt 2013, ka marrë para për vete dhe të akuzuarin B.H. si dhe ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga ai për të kryer në kuadër të autorizimeve të saj veprime zyrtare apo veprime tjera, të cilat ajo nuk duhej t’i kryente.

Në aktakuzë thuhet se ajo ishte marrë vesh me të akuzuarin H., ua kishte rregulluar dokumentacionet personave të ndryshëm dhe për këto veprime ka pranuar para për vete deri në 400 euro për një rast, duke i mundësuar përfitim financiar të akuzuarit Hasani, po ashtu deri në 400 euro për një rast.

Me këtë, i akuzuari H, po ngarkohet me veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Ndërkaq, i akuzuari B.D, sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 26 shkurt 2013, u ka dhënë ndihmë juridike pa autorizim disa personave, të cilëve u ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar para organeve të Serbisë, duke u kërkuar pagesë deri në 1 mijë e 200 – 3 mijë euro, për të nxjerrë në emrin e tyre dokumente si certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

A.B. me këtë aktakuzë është akuzuar edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, por prokurori për këtë vepër ka hequr dorë pasi është përfshirë në Ligjin për Amnistinë. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme