Kreu i Qeverisë kosovare, Ramush Haradinaj, së fundi ka sjell sërish në pah rëndësinë e reformës zgjedhore.
Kryeministri u kërkoi mbështetje shefit të OSBE-së Jan Braathu dhe shefes e BE-së, Nataliya Apostolova, për këtë proces krejt kjo me qëllim që të garantohej gjithëpërfshirje politike dhe përfaqësim adekuat gjinor dhe etnik, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj nuk ishte i pari që përmendi reformën, por asnjëherë nuk pati iniciativa konkrete që ta shtyjnë këtë proces përpara.
Se vendi ka nevojë për reformën zgjedhore e thotë edhe profesori Adnan Merovci. Ai i tha Ekonomia Online, se puna e parë që duhet në reformën zgjedhore është rritja e numrit të zonave zgjedhore.
Sipas tij, reforma zgjedhore në vete ngërthen përshtatjen, adaptimin e sistemit zgjedhor dhe operacioneve brenda kodit zgjedhor që neve ende na mungon.
“Reforma zgjedhore në vete ngërthen përshtatjen, adaptimin e sistemit zgjedhor dhe operacioneve brenda këtij kodi zgjedhor që neve ende na mungon, ne kemi ligjin për zgjedhje, rregulloren dhe vendimet, një kod të mirëfilltë zgjedhor ende fatkeqësisht nuk e kemi, duke marrë parasysh që procesi zgjedhor është një organizëm i gjallë i cili është fluid, atëherë imponohet nevoja, ndryshimi i reformës zgjedhore. Puna e parë që duhet në reformë zgjedhore është rritja e numrit të zonave zgjedhore, ne kemi vetëm sistem zgjedhor me një zonë zgjedhore”.
Si shumë të rëndësihme në të këtë proces, këshilltari i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e sheh edhe ndryshimin e përbërjes së KQZ-së, kokës e trupit të organizimit të zgjedhjeve, siç e quan ai.
Merovci thotë se në KQZ nuk e kanë vendin vetëm përfaqësuesit e partive politike. Ai kërkon përfaqësim më të gjerë, raporton EO.
“Çështje tjetër që mendoj që duhet është vetë koka e trupit për organizim të zgjedhjeve që quhet KQZ, përmbajtja e KZQ-së duhet të ndryshojë, është një përmbajtje pure, për shkak të qëndrueshmërisë politike e jo shumë profesionale”.
“Subjektet politike bën të përfaqësohen, por të jenë dhe mos të dominohen nga ta, por të jenë edhe gjykatës të ndryshëm, shoqëria civile të ketë më shumë zëra në KQZ dhe të jetë pak ai neturaliteti pak më i theksuar”.
Jetike në këtë proces ai po e sheh edhe çështje e pragut prej 5%. Kjo shifër sipas tij, është shumë e lartë dhe po i dëmton grupet e vogla politike dhe kandidatët e pavarur.
“Çështja e pragut zgjedhor, pragu zgjedhor është mirë dhe është një shenjë i zhvillimit të demokracisë, megjithatë në Kosovë pragu zgjedhor është goxha duke bërë dëm në përgjithësi rezultatit të zgjedhjeve, sepse është një prag enorm 5% është shumë pak, sepse i len të paafirmuara grupet e vogla politike, që mos me thanë edhe kandidatët e pavarur”.
E rëndësishme për një reformë të mirëfilltë është edhe lista e votuesve. Kurse sa i përket votimit me kusht ai tha se duhet të modifikohet ngase votimi me kusht vjen si rezultat i mangësive në listat e votuesve, sepse listat nuk është besnike.
“Lista e votuesve, quhet ikonë sepse sa më e saktë është kjo listë aq më të shëndetshme janë zgjedhjet në një vend. Nuk duhet me ardhur puna dhe njerëzit që nuk janë në jetë, kur dihet që janë në jetë edhe prapë i figuron emri, mundet njeriu vetë me pasë listën e votuesve ne dorë dhe me pa babën e tij që ka ndërruar jetë dhe prapë nuk ka mundësi me heqë, sepse nuk është heqë me procedurë, pasi që ka procedura edhe me u heqë prej listës zgjedhore”.
“Çështja votimit me kusht është çështje që këtu tek ne edhe zvarritë por edhe krijon dilema, se më të mëdha janë dilemat se sa vetë parregullsitë, votimi me kusht duhet të modifikohet dhe votimi me kusht vjen si rezultat i mangësive nga lista e votuesve, sepse lista e votuesve nuk është besnike”.
Përderisa Eugen Cakolli, nga KDI, thotë se reforma zgjedhore është një nga proceset me të cilat skena politike është dominuar prej pothuajse më shumë se dhjetë vjetësh, proces ky që sipas tij, ka hasur në sfida të vazhdueshme.
“Reforma zgjedhore si një nga proceset me të cilat skena politike dhe diskursi është dominuar prej pothuajse më shumë se dhjetë vitesh është një proces që ka hasur në sfida të vazhdueshme për përfundimin e tij. Ky proces që është iniciuar gjatë vitit 2010 ka pasur vështirësi të natyrës politike të cilat kanë qenë të ndërlidhura me mungesën e vullnetit politik të subjekteve politike për të përfunduar këtë proces”.
Ai thotë se reforma është tentuar që të shitet si një proces më teknik, kjo si rezultat i mungesës së unitetit politik për të prekur reformën zgjedhore në përmbajtjen e saj.
“Çështja e reformës zgjedhore fillimisht është tentuar që të shitet si një proces më teknik, pra është tentuar që të ndryshohen elementet specifike siç janë çështja e votimit nga jashtë, pastrimi i listës së votuesve dhe kjo si rezultat i mungesës së unitetit politik për të prekur reformën zgjedhore në përmbajtjen e saj”.
Ky proces thotë Cakolli ka mbetur në gjysmë për shkak të kundërshtimit nga ana e subjekteve politike opozitare, ngase kanë vlerësuar që reforma nuk mund të bëhet pa një gjithëpërfshierje të akterëve politike dhe të shoqërisë civile.
“…mirëpo si proces ka mbetur në gjysmë për shkak edhe të kundërshtimit të madh të këtij procesi nga ana e subjekteve politike opozitare, duke qenë se këto subjekte politike kanë vlerësuar që reforma nuk mund të bëhet pa një gjithëpërfshierje të akterëve politike dhe të shoqërisë civile si një nga kontribuuesit kryesorë në këtë drejtim”.