Ish-avokati Haxhi Çekaj mungoi në gjykimin ku akuzohet për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj i njoftoi palët se ka pranuar një shkresë nga i akuzuari me anë të së cilës ai e kishte njoftuar gjykatën se për shkak të problemeve shëndetësore është hospitalizuar në spitalin e Pejës dhe për këtë arsye nuk do të mund të jetë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor.
Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues seancën e shtyu për datën 26 prill.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.
Çekaj ishte arrestuar gjatë pauzës së një seance në Pejë, dy muaj më parë.
Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.
Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.
Dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën prej 50 mijë eurove