Mungon një nga të akuzuarit, shtyhet gjykimi në rastin “Subvencionet 1”

Prishtinë | 24 Nën 2023 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e të akuzuarit Lulzim Hajdaraj, u bë shkak që seanca e paraparë për të premten në rastin “Subvencionet 1” të dështojë.

Për mungesën e tij, kryetari trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi bëri të ditur se paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Hajradaj, avokati Xhemajl Ademaj përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij ka udhëtuar për në Amerikë.

Më pas, trupi gjykues kërkoi mendimin e palëve për mundësinë e veçimit të procedurës penale ndaj të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veçim të procedurës ndaj Hajradaj u pajtua prokurori special Rafet Halimi, mirëpo disa nga mbrojtësit e të akuzuarve, përfshirë dhe mbrojtësin e tij Ademaj nuk u pajtuan.

Sipas mbrojtësve, prezenca e të akuzuarit në procedurë është e rëndësishme, pasi që dëshmitarët të cilët do të dëgjohen lidhen direkt me të mbrojturit e tyre dhe të akuzuarin Hajdaraj.

“Një ndër dëshmitarët këtu ndërlidhet drejtpërdrejt me klientin tem dhe konsideroj që është e domosdoshme që edhe Lulzimi me qenë këtu prezent me ja jap mundësinë me i parashtru pyetjet se të gjithë d.m.th. është fjala për të njëjtën çështje, për të njëjtën procedurë të subvencionimit”, tha avokati Granit Vokshi, mbrojtës i të akuzuarit Kushtrim Zogaj.

Parafolësit Ademaj dhe Vokshi, i kanë mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Skender Musa dhe mbrojtësi i të akuzuarit Musa Nivokazi, avokati Argjend Sefa.

Në këto rrethana, pasi që nuk kishte kushte për të vazhduar tutje, seanca e sotme është shtyrë.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.

Të ngjashme