Ukraina do të jetë edhe këtë vit kryetemë e punimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Liderë nga e mbarë bota janë mbledhur në Nju Jork për të diskutuar tema nga më të ndryshmet, nga siguria ushqimore, zgjidhja e konflikteve e deri te luftimi i ndryshimeve klimatike.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe lideri ukrainas, Volodymyr Zelenski, pritet që të jenë ndër të parët që do t’u drejtohen të pranishmëve.
Megjithatë ky sesion shënohet nga disa mungesa të mëdha si presidenti francez, Emmanuel Macron, ai rus, Vladimir Putin, lideri kinez, Shi Xhinpin dhe kryeministri britanik Rishi Sunak.
Por kjo nuk e zbeh rëndësinë e eventit më të rëndësishëm vjetor të politikës globale. Presidenti Zelenski, që ka mbërritur në Nju Jork, njoftoi se gjatë fjalimit do të falendërojë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e madhe të rezistencës ndaj ushtrisë ruse.
“Duhet të ndalojmë Putinin pasi është bërë njësoj si Hitleri”, theksoi lideri ukrainas, duke njoftuar se do të paraqesë në OKB një propozim kundër agresionit të Rusisë. /A2CNN