Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kohë pas kohe është ballafaquar me mungesë të barnave për kimioterapi, në mungesë të së cilave disa pacientë edhe nuk kanë mundur të marrin trajtimin e nevojshëm me kohë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Mungesë të barnave ka pasur edhe gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti.
Një paciente e prekur me kancerin e gjirit, e cila është duke u trajtuar në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, në kushte anonimiteti ka treguar për “Zërin” se për një muaj nuk ka mundur të marrë trajtim për shkak të mungesës së “Anastrozol”-it, i cili përdoret në trajtime kirurgjike ose për rrezatim për të trajtuar kancerin e hershëm të gjirit.
Edhe pse numri i pacientëve që bëjnë kimioterapi dhe radioterapi në baza ditore në këtë klinikë është i madh, furnizimi me barna në periudha të caktuara mungon, shkruan Gazeta “Zëri”.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë për “Zërin” se për katër javë kanë pasur mungesë të disa barnave. “Furnizimi me barna ka qenë tre-katër javë pak më problematik me dy-tri ilaçe që kemi pasur mungesa. Përndryshe, qe dy javë furnizimi është normal dhe stabil dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë më tutje, pasi që procedurat e ndryshme të tenderimit të ilaçeve ndonjëherë kanë pengesat e veta dhe ngritja e çmimit të ilaçit nga operatorë të ndryshëm ekonomikë bën që të kemi edhe vonesa në furnizim. Në tri javët e fundit ka munguar ilaçi ‘Tavane’ (ilaç që përdoret për trajtimin e prostatës) dhe dy javë një derivat i latineve (përdoret për trajtimin e kancerëve të ndryshëm)”, ka thënë ai.