Deputetët e VV-së sërish i ikin hetimit parlamentar për Rezervave Shtetërore
Në mungesë të deputetëve të VV-së ka dështuar që të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhje do të diskutohej rreth buxhetit të Komisionit dhe rreth angazhimit të ekspertëve.
Kryetari i këtij Komisioni, Rashit Qalaj, tha se edhe pse kanë rënë dakord me deputetët e VV-së që kjo mbledhje të mbahet ata nuk kanë ardhur.
“Fatkeqësisht kemi mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk kemi kuorumin e duhur”, tha Qalaj.
“Sot kemi pasur të diskutojmë dy pika të rëndësishme të rendit të ditës, që ka pasur të bëjë me buxhetin për këtë Komision si dhe për angazhimin e ekspertëve, të cilët do të na duheshin. Dhe po ashtu kemi pasur një pikë tjetër ku kemi pasur me diskutuar për çështjen e dokumentacionit për punën e këtij komisioni, mirëpo më pamundësi që të vazhdojmë me punë, ne duhet ta mbyllim këtë tentativë të takimit, duke shpresuar që do ta mbajmë një takim tjetër shumë shpejt”.
“Kjo varet shumë nga prezenca e kolegëve nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse ne si deputet të opozitës nuk e kemi numrin e mjaftueshëm të votave. Kështu me keqardhje do të mbyllim këtë takim për shkak të mungesës së deputetëve nga LVV”, tha Qalaj.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore ishte konstituar pas 7 tentimeve, për shkak të mungesës së deputetëve të Vetëvendosjes.