Murat Jasharit i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë për tentimvrasjen e avokatit Azem Vllasi.
Lajmin për vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar për Indeksonline, avokati mbrojtës i Jasharit, Emrush Kastrati.
“I është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Kemi bërë ankesë dhe presim vendimin tjetër të Gjykatës në këtë drejtim”, ka thënë Kastrati.
Kastrati ka thënë se së shpejti pritet që Jashari të dërgohet në shërbim psikiatrik për të parë se ku saktësisht qëndron problemi i gjithë kësaj çështje. Azem Vllasi ishte plagosur me 13 mars në banesën e tij në qendër të Prishtinës.
I dyshuari Murat Jashari bashkë me Avni Llumnicën për shkak të aktivitetit të tyre ishin vëzhguar kohë pas kohe nga autoritetet e sigurisë dhe arsyeja e ardhjes së tij para se të sulmohej avokati Vllasi, dyshohet të ketë qenë ndërmarrja e ndonjë atentati që më pas të promovohej organizatat ‘Syri i Popullit’, e cila kishte për detyrë të bëjë atentate në persona të caktuar brenda Kosovës.