Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Murat Meha, para gjykatës ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor për aktakuzën e Prokurorisë Themelore.
“Ne vetëm kemi dashur zbatim të ligjshmërisë”, ka thënë Meha.
Të pafajshëm janë deklaruar edhe dy të akuzuarit tjerë, Ismet Kryeziu drejtor i Drejtoratit ligjor në Agjencinë Kadastrale dhe Nemanja Spasiq shef i Zyrës Kadastrale në Graçanicë.
Prokuroria i akuzon ata për rastin e pronësisë së “Marigona Residence”.
“Ata në bashkëkryerje, e kanë penguar të dëmtuarën “Marigona Residence” në ushtrimin e veprimtarisë së saj duke e vënë në pozitë të pabarabartë me ligjin e zbatueshëm, duke mos e lejuar që sipas ligjit të regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral”, ka thënë prokurori Kujtim Munishi.
Prokurori ka shtuar se Meha e Kryeziu, e kanë obliguar Nemanja Spasiq shef i Zyrës Kadastrale në Graçanicë që në pajtim me një mendim profesional të nxjerr në mënyrë të kundërligjshme, e që ia ka cenuar të dëmtuarës “Marigona Residence” barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.
Kjo aktakuzë ishte ngritur vitin e kaluar por nuk ishte bërë publike nga Prokuroria.