Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se Kosova me këtë kushtetutë që ka dhe me mundësinë e implementimit të një asociacioni me veriun, mbetet çdo herë një vatër e mundshme e krizës që mund vazhdimisht faktori rus ta ndezë, dhe SHBA-ja, siç shprehet ai, sipas të gjitha gjasave, me analizat e tyre e kanë vërejtur që duhet të gjendet shpejt një zgjidhje, e të hiqet dorë nga koncepti i Kosovës ahtisaariane dhe të shkohet me një model në të cilin do të zgjidhen problemet shqiptaro-serbe edhe duke u bërë ridefinimi i kufijve.
Murati në Intervistën e Javës në Koha.net, thotë se në rast se ajo do të ndodhte, do të binin pengesat që Kosova i ka me Pako të Ahtisaarit.
Thotë se kjo parti, objektiv kryesor ka bashkimin e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në një shtet. Në funksion të këtij objektivi, thotë ai, kanë ndërtuar konceptin politik i cili prek çdo fushë të jetës edhe në Kosovë.
Murati shpjegon se përmes emrit Lëvizja për Bashkim, bëjnë përpjekje që të simbolizojnë bashkimin kombëtar dhe bashkimin e qytetarëve rreth një projekti politik.
Kryetari i LB-së ka folur edhe për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës. Ka thënë se që nga viti 2010, e kanë të shkruar një platformë të cilën ua kanë shpërndarë të gjitha partive politike e shoqërisë civile. Thotë se që atëherë, kanë kërkuar që në bisedimet me Serbinë të shtrohet çështja e reciprocitetit në të drejta, pra ajo çka kërkohet për serbët në veri të Mitrovicës, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, t’u jepet edhe shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“Ky parim i reciprocitetit kemi thënë, duhet të shkojë deri në ridefinim të kufijve”, tha ai.
Sqaron se në këtë koncept të prezantuar nga kjo parti, nuk përfshihet Mitrovica e veriut dhe shtatë fshatra shqiptare, pasi ai thotë se ato janë vazhdimësi e territorit shqiptar.
“Nuk përfshihet Mitrovica e veriut as fshatrat shqiptare të Leposaviqit, që janë Ceraja, Koshtova e Bistrica. Nuk përfshihen as fshatrat shqiptare të Zveçanit, që janë Zhazha, Boletini e Kelmendi, e gjithashtu nuk përfshihen fshatrat e Zubin Potokut, në këtë rast Çabra”, tha Murati.
Por sipas tij, në atë kohë kur u prezantua ky koncept, meqenëse nëpër takime jopublike u pëlqye si ide, iu tha nga bartës të institucioneve se Bashkësia Ndërkombëtare nuk lejon fare të hapet çështja e Luginës.
Megjithatë, çështja e kufijve dhe bashkimit të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t’iu bashkuar Kosovës, tashmë veç është hapur. E për këtë meritat i ka marrë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Murati, thotë se nuk i ka mbetur hatri që kjo ide, kaherë ka qenë e tij dhe e Lëvizjes për Bashkim.
“Ne nuk vuajmë nga kompleksi që kemi pronësi ndaj një koncepti të caktuar politik, për ne është e rëndësishme që kjo temë është hapur në bisedime me Serbinë. Është e vërtetë që z.Thaçi flet për këtë temë por nuk e përmend Lëvizjen për Bashkim por kjo mbetet çështje e tij”, tha Murati, duke u shprehur i kënaqur që është hapur kjo temë, dhe se më s’do të ketë kthim në status-quo.
Kur ka folur rreth dialogut, Murati tha se deri tash ka pasë dialog ku është folur vetëm për Kosovën, serbët në Kosovë dhe veriun, tash, beson se do të ketë dialog më të fuqishëm pasi për herë të parë është krijuar mundësia që në bisedime të hapen çështje që i takojnë edhe Serbisë.
“Ka një arsye që kjo ka ndodhur. Ka ndryshim të rrethanave gjeo-strategjike. Nuk është çështje që e ka hapur vetëm z.Thaçi pse atij i ka rënë ndërmend, sepse ne e kemi hapur këtë çështje që nga 2010 kur z.Thaçi ishte kryeministër. Atë kohë thoshte nuk na lënë amerikanët ta hapim këtë temë, e tash janë amerikanët ata që e lejuan hapjen e kësaj teme”, tha ai, raporton Koha.net.
Murati thotë se ndryshimi i rrethanave ndërkombëtare, ka ndikuar që të hapet kjo temë. Thotë se tani ka ndërhyrje më të madhe e fuqizim të Rusisë në gjithë botën.
“Kosova me këtë kushtetutë, me mundësinë e implementimit të një asociacioni me veriun shumë problematik, mbetet çdo herë një vatër e mundshme e krizës që mund vazhdimisht faktori rus ta ndezë, dhe amerikanët, sipas të gjitha gjasave me analizat e tyre e kanë vërejtur që duhet të gjendet shpejt një zgjidhje, të hiqet dorë nga koncepti i Kosovës ahtisaariane dhe të shkohet me një model në të cilin do të zgjidhen problemet shqiptaro-serbe edhe duke u bërë ky ridefinim i kufijve, sepse në rast se ajo do të ndodhte, do të binin pengesat që Kosova i ka me Pako të Ahtisaarit, normalisht, Asociacioni nuk do të vinte në shprehje, askush s’do t’i prekte të drejtat e minoritetit serb dhe minoriteteve tjera, sepse minoriteti serb ka privilegje bllokuese sepse përmes Kushtetutës së Kosovës që buron nga Pakoja e Ahtisaarit, ata kanë mundësi të na bllokojnë kushtetutën, një sërë ligjesh, dhe shpeshherë bimë në bllokada të caktuara institucionale. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment të ri”, sqaroi kryetari i LB-së.
Se nga dialogu me Serbinë pritet një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, Murati thotë se LB-ja, nuk e ka prioritet njohjen por zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve, ku pas saj, njohja do të vinte si produkt i marrëveshjes.
Ka folur edhe për idenë e presidenti Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh. Thotë se metë e presidentit Thaçi është që nuk sqaron saktësisht çka nënkupton me këtë.
“E ka keq kur nuk e sqaron opinionin se çka mund të përfshijë ky korrigjim. Ne i themi ripërcaktim i kufijve ku duhet të përfshihen territoret shqiptare. Duhet të zbatohet një parim i njëjtë për dy popujt, jo vetëm ne të marrim e ata jo. Askush nuk e beson storjen që Kosova vetëm do të merr e s’do të japë asgjë. Z.Thaçi e ka një meritë që për herë të parë e ka hapur fuqishëm çështjen e Kosovës Lindore, por e metë e tij është mënyra se si e ka prezantuar dhe ka shkaktuar debat të ashpër në opinion, nuk e ka qartësuar asnjëherë se çka nënkupton me këtë”, tha ai.
Ka folur edhe për taksën, kërkesën e ndërkombëtarëve për ta hequr që t’i hapë rrugë vazhdimit të dialogut, por ka thënë, se ajo nuk duhet hequr pasi e ka forcuar pozicionin e Kosovës, por nëse rrezikon edhe më thellë raportet me ndërkombëtarët, atëherë duhet vendosur kryeministri Haradinaj e bartësit e institucioneve.
Realisht, thotë Murati, procesi i me taksën po shkon deri në atë pikë që ky format i bisedimeve të dështojë.
“Në njëfarë forme, taksa është një instrument për të dështuar ky format i bisedimeve që ka qenë nga viti 2011. Kam bindje që edhe reagimi i Serbisë, edhe i ndërkombëtare e edhe vendosja e taksës po çojnë deri aty që ky nivel i dialogut të dështojë dhe të hapet rruga për model tjetër ku do të kemi përfshirje më serioze të SHBA-së”, tha ai, duke shtuar se i sheh të interesuar që këtë vit të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve.
Në fund, ka folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje, por, tha se nuk sheh gatishmëri nga asnjë force politike.
“Edhe kryeministri me vendosmëri po e mban taksën dhe po tensionon raportet edhe mes koalicionit, që në fund të del fitues politik. Ai është fitues taktit me lojën e taksës, por nesër mund të jetë humbës strategjik. Mendoj se nuk ka vullnet politik për zgjedhje. Në anën tjetër, kemi vendosmëri të bashkësisë ndërkombëtare që procesin e negociatave ta çojnë në fund me këtë strukturë, të mos futemi në zgjedhje, e dialogu, të mos bëhet pjesë e fushatës”, përfundoi kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati./Koha.net