Në fshatin Skromë të Vushtrrisë është përuruar projekti i fshatit turistik “Skroma“. Ky kompleks është investim i afaristit nga Zvicra, Femzi Braha.
Ministri i Diasporës,Valon Murati, i cili ka marrë pjesë në këtë përurim, theksoi se diaspora përbën mundësinë më të madhe të vendit tonë për të sjellë investime serioze, dije, kulturë dhe disiplinë pune në Kosovë.
“Sa herë flasim për investimet nga jashtë, jam i vetëdijshëm se vija e parë e frontit janë njerëzit tanë nga diaspora, të cilët kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë, me gjithë vërejtjet që mund t’i kenë”.
“Në këtë mënyrë, ata po e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës në kohën më të nevojshme për të”, u shpreh Murati, duke ofruar mbështetje të plotë për të gjithë investitorët nga diaspora.
Kurse, afaristi Braha tha se qëllimi kryesor i investimit të tij në fshatin Skromë ka qenë t’ia kthejë gjallërinë kësaj zone përmes rritjes së frekuentimit në këtë pjesë dhe punësimit të banorëve të kësaj zone.
Në emër të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të pranishmit i përshëndeti edhe Naser Berisha, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Kanada, si dhe përfaqësues nga Komuna e Vushtrrisë.