Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se varianti më i keq për Kosovën do të ishte instalimi i një Asociacioni të serbëve në Kosovë, me karakter të një autonomie politiko-territoriale.
Murati tha se kjo lloj zgjidhje do ta bënte Kosovën tërësisht jo funksionale.
“Konsideroj personalisht ashtu siç e konsideron i tërë subjekti ynë politik, se varianti më i keq për Kosovën do të ishte instalimi i një Asociacioni, për më tepër me shumë gjasa që të ketë karakter të një autonomie të vërtetë politiko-territoriale, zgjidhje e cila Kosovën do ta bënte tërësisht jo funksionale. Kosova ka shumë problem edhe sot me funksionalitetin e saj, sepse pakoja e Ahtisaarit, e instaluar me Kushtetutën e Kosovës, u jep pakicave të drejtën e vetos së dyfishtë”.
“ U jep privilegje të jashtëzakonshme juridike, të cilat po keqpërdoren shumë nga pakica serbe dhe e vendosin shtetin e Kosovës në bllokada të vazhdueshme. Kjo zgjidhje, të cilën ne e kemi në Kushtetutë, e kombinuar pastaj me forcën që mund ta ketë Asociacioni i Komunave Serbe, shtetit të Kosovës ia rrit edhe më shumë jo funksionalitetin. Më e keqja është që kjo situatë pas disa dekadash domosdo do të përfundojë me ndarjen e Kosovës. Sepse ai realitet i krijuar e bën Kosovën jo funksionale sado të kërkohet një zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.
Murati tutje shtoi se me situatën e jo funksionalitetit në Kosovë, Qeveria serbe do të synojë depërtimin e saj deri tek lumi Ibër, në veri të vendit.
Ai po ashtu tha se është duke u bërë një zhurmë e madhe për të frikësuar opinionin rreth idesë së korrigjimit të kufijve, por sipas tij e keqja më e madhe mund të jetë Asociacioni apo autonomia e serbëve në Kosovë.
“Dhe me atë situatë të jo funksionalitetit, qeveria serbe e ka për qëllim që të depërtoj deri tek lumi Ibër, dhe ta vendos kufirin tek lumi Ibër. Po bëhet një zhurmë e madhe, por frikësohet opinioni rreth idesë së korrigjimit të kufijve, kinse ta pranojë të keqen më të vogël që mund të jetë Asociacioni, apo autonomia. Në të vërtetë e keqja më e madhe është asociacioni dhe një lloj autonomie e tillë sepse na bën jofunksional, për një afat të gjatë”.
“ Derisa po bëhet kjo zhurmë e madhe, përpjekjet, kompromisi pastaj në raport me korrigjimin e kufijve të jetë një Asociacion apo një autonomi e fuqishme. Kjo nënkupton defunksionalitet total të shtetit të Kosovës, i cili edhe ashtu-kështu është jofunksional, për shkak të një rregullimi të padrejtë kushtetues, që i bëhet qytetarëve të Kosovës dhe shumicës shqiptare në Kosovë”, theksoi Murati.