Murati: Javën e ardhshme ekzekutohen pagesat për punëtorët e sektorit privat

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se komisionet vlerësuese kanë nisur shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, përkatësisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat dhe studentët.

Sipas Muratit, komisioni që po merret me vlerësimin e aplikimeve për sektorin privat është drejt përfundimit të punës, ndërsa ekzekutimi i pagesave pritet të nisë në fillim të javës së ardhshme.

“Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet të hënën”, ka bërë të ditur ai.

Sa i përket masës për studentët, Murati ka thënë se komisioni do ta përmbyllë procesin e shqyrtimit sapo të pranojë konfirmimet e nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë për studentët që kanë aplikuar.

Ai shtoi se qytetarët do të njoftohen me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim.

Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 synon të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve, duke ofruar mbështetje për kategori të ndryshme të prekura nga rritja e kostos së jetesës.

Të ngjashme