Javën që shkoi, mediat sllovene e bën publike një dokument që pretendohet se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ia dërgoi disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian, në të cilin ‘non-paper’ paraqiti idenë e rikonfigurimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se kjo ide tregon problemet e mëdha që ka regjioni i Ballkanit Perëndimor.
E shkruar në anglisht, dokumenti përmban disa pikë, të cilat flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, aneksimin e Republikës Srbska nga Serbia, si dhe opsionin e rirregullimit të territoreve kroate që janë pjesë e federatës boshnjako-kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Tutje, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që politikisht angazhohet për bashkimin kombëtar, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se publikimi i dokumentit është përpjekje për ta testuar opinion për zgjidhjet e tjera të mundshme për problemet e vendeve ballkanike, shkruan Reporteri.net.
“Me mosveprimin tonë kemi bërë që zgjidhja e çështjes së raporteve Kosovë-Serbi të na lidhet me çështjen e Bosnjë dhe Hercegovinës gjë që do ta komplikonte shumë çështjen tonë. Përderisa në rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës çështja e ndarjes së saj, është çështje e popujve të saj, idetë mbi ripërcaktimin e kufijve në rastin tonë nuk do të duhej të na frikësonin, sepse shqiptarët janë ata që janë më të dëmtuarit nga kufijtë aktual”, tha Murati.
Ish-ministri i diasporës ka thënë për Reporteri.net se ripërcaktimi i kufijve do të duhej të paraqitej nga vet shqiptarët me parimin që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovë e veriu me Serbinë.
“Ne do të duhej ta kuptonim se e kemi shumë të rëndësishme zgjidhjen e problemeve me Serbinë, në mënyrë që ta përmbyllim çështjen e pavarësisë së Kosovës (sidomos në planin e legjitimitetit të jashtëm, por edhe të funksionalitetit të brendshëm) dhe t’ia hapim rrugën edhe mundësisë së një raporti tjetër me Republikën e Shqipërisë, përfshirë bashkimin në një entitet shtetëror. Andaj guximshëm do të duhej që në tryezën e bisedimeve jo të presim që të tjerët të shtrojnë çështjen e ripërcaktimit të kufijve por vetë ta shtrojmë atë, me parimin që pjesa shqiptare e Kosovës Lindore të bashkohet me Kosovën si dhe pjesa serbe e tre komunave veriore të bashkohet me Serbinë”, tha Murati.
Për Muratin, që përkrah ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, thotë se vetëm rikonfigurimi i territoreve do të hapte rrugën e bashkimit të shqiptarëve.
“Vetëm një zgjidhje e tillë, do të shtronte rrugën pastaj për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, heqjen e kufizimeve që ka kjo kushtetutë e që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe të cilat do të mundësonin funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës si dhe do të hapnin edhe rrugën (nëse për këtë ka vullnet) për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi Murati.