Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga mesatare në Kosovë ka shënuar rritje prej 53 për qind gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
“Agjencia e Statistikave të Kosovës dje ka publikuar të dhënat më të fundit për pagën mesatare në vend, e cila për vitin 2025 ka shënuar vlerën 713 euro bruto.
Kjo përkthehet në rritje prej 247 euro apo 53% nëse e krahasojmë me nivelin që e kemi gjetur në fillim të mandatit (2020-2025).
Kurse për periudhën 5 vjeçare para Qeverisë Kurti (2014-2019), paga mesatare në vend ishte rritur vetëm 74 euro apo 18%.
Thënë ndryshe, rritja e pagës mesatare me Qeverinë Kurti ka qenë 3-fish më e madhe sesa me qeveritë Mustafa e Haradinaj.
Këtë e thonë të dhënat zyrtare të ASK-së.
Prandaj i lus edhe mediat dhe analistët nëpër studio, që sa herë të flasin për rritje pagash, t’u referohen statistikave konkrete e zyrtare, sepse kjo e bën shumë më të lehtë mirë-informimin e qytetarëve”, ka shkruar Murati.