Ministri i Diasporës, Valon Murati, po qëndron për një vizitë disaditore në Australi. Ai,bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, po merr pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga diaspora shqiptare, me rastin e shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Federation Square, ministrit Murati dhe ambasadorit Kiçmari iu dha nderi për ngritjen e flamurit kombëtar, ceremoni kjo tradicionale që zhvillohet në qendër të qytetit Melbourne.
Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, gjatë qëndrimit në Melbourne, morën pjesë edhe në dy aktivitete të organizuara nga bashkatdhetarët tanë, në të cilat ishin të pranishëm rreth 1500 veta.
Në këto aktivitete, në fjalën përshëndetëse, ministri foli për rëndësinë e kësaj dite për shqiptarët kudo që janë, duke porositur që nuk ka mënyrë më efikase për ruajtjen e identitetit kombëtar sesa dërgimi i fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe,përmes të cilit kanë mundësi të njihen me gjuhën dhe kulturën tonë.
Me ftesë të komunitetit shqiptaro-australian në Sydney, ministri Murati u takua edhe me bashkatdhetarët e kësaj pjese të Australisë, me ç’rast u diskutuan shumë çështje që u shtruan nga të pranishmit.
Ministri Murati edhe në këtë takim foli për rëndësinë e dërgimit të fëmijëve në mësim plotësues. Duke qenë se në Sydney nuk ekziston një shkollë e tillë, ai i inkurajoi ata që të organizohen sa më shpejt për hapjen e saj, duke u premtuar mbështetjen e plotë të Ministrisë së Diasporës dhe Ambasadës së Kosovës në Australi.
Gjatë kësaj vizite, Murati do të takohet edhe me përfaqësues të institucioneve të ndryshme australiane.