Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të formojnë një mekanizëm që i mbikëqyr marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve.
Në Express Intervistën në KTV, ish-ministri i Diasporës ka thënë se ka parë avancime në nivelin e marrëdhënieve mes dy shteteve, por thotë se prapë nuk plotëson nevojat e qytetarëve të të dy vendeve në cilëndo sferë.
“Nevojat janë më të mëdha dhe ky nivel i marrëdhënieve është duke e kryer misionin e vet e ne duhet të mendojmë që të shkojmë në hapin tjetër”, ka thënë ai.
Sipas tij, duhet të krijohet një mekanizëm në formë Komisioni, Këshilli apo Agjencie Kombëtare e përbashkët që mbikëqyr marrëveshjet e nënshkruara dhe zbatimin e tyre si dhe bën propozime për marrëveshje të reja.
“Për shembull të vendoset në Prizren, komisioni që do të kishte buxhet që do të mjaftonte për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve, e do të propozonte të reja, do të propozonte përafrim legjislacionesh, si për shembull për tregun, doganat e të tjera.. Një mekanizëm i tillë do të afronte qeveritë e të bënte presion për zbatim të marrëveshjeve. Ai mekanizëm i përbashkët do të mund të financonte projektet infrastrukturore të të gjitha llojeve jo vetëm në dy shtetet por kudo që ka shqiptarë në Mal të Zi apo Maqedoni”, ka shtuar ai.
Duke komentuar deklaratat pompoze të kryeministrit shqiptar Edi Rama, në mbledhjen e pestë të përbashkët të të dy qeverive, Murati ka thënë se ajo është gjuhë e tij, por që vetë nuk e pëlqen.
Sa i përket përplasjeve pas deklaratave nga qeveri shqiptare se nuk përkrah taksën 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, Murati ka thënë se po të kisthe koordinim më të mirë mes dy shteteve s’do të kishte përplasje të tilla e do të ishte më mirë për të dy vendet.
“Kur krijojmë të tilla gjëra s’mund të kërkojmë përkrahjen e askujt nëse e kemi marrë në vete këtë vendim. Andaj duhet bashkëpunim më i gjerë. S’mund t’i themi Shqipërisë unë e mora një masë e ti më përcjell mua. Duhet të ketë koordinim që të kemi veprime të përbashkëta në politikën e jashtme. Rama doli në përkrahje, por po të merrej në bashkëpunim do të ishte edhe më mirë. Nuk më duket që është marrë me analizë të thellë, por është e tillë që për një moment të tillë kishte nevojë të merrej”, ka shtuar ai.