Ministria e Diasporës në Republikën e Kosovës, u ka bërë thirrje kosovarëve që në mënyrë që t’i shmangin pritjet e gjata në hyrje të Kroacisë me Serbinë, t’i përdorin pikë kalimet Bogojevo-Erdut, Neshtin-Ilok dhe Baçka Palanka-Ilok.
“Përderisa pritjet në hyrjet për në Kosovë janë zvogëluar ndjeshëm që nga mbrëmë, bashkatdhetarët tanë po presin me orë e orë të tëra në hyrje të Kroacisë për në Serbi.
Kjo po ndodh, përveç faktit se për qytetarët tanë duhet të mbushet ajo që njihet si Letra e Bardhë (e që mund të zgjas deri në 10 min.) edhe për shkak se përmes atyre hyrjeve kufitare, po kthehen në vendet e tyre për pushime edhe shtetasit bullgarë e turq”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Valon Murati, ministër në Ministrinë e Diasporës.
Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar edhe me shefin e zyrës ndërlidhëse në Beograd, Valdet Sadikun, i cili ka rekomanduar që në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata të përdoren këto dy vend kalime.
“….ata i kanë rekomanduar që përveç pikave kufitare Batrovci-Bajakovo (ku pritjet janë deri në 8 orë) dhe Shid-Tovarnik (ku pritjet janë deri në 6 orë) të përdoren edhe pikat kufitare Bogojevo-Erdut, Neshtin-Ilok dhe Baçka Palanka-Ilok”, ka thënë Murati.
Gjithashtu gjatë ditës mund të përdoren edhe dy hyrje më të vogla kufitare Luba-Prinicipovac dhe Jamena-Strosnic
“..këto dy pika sipas informatave jo të plota ka gjasa që punojnë vetëm deri në orën 19.00”.