Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Prokuroria Speciale nuk e ka mision luftimin e krimit dhe korrupsionit por “mbrojtjen e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”.
“E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka shkruar Murati.
Fillimisht reagimin e tij ministri Murati e filloi e ish-ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi nga NISMA, i cili të premtën në një intervistë ka diskutuar për rezervën shtetërore.
“Në fund të vitit 2020, Nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ poashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik “për shenjimin e naftës”. Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri”, ka shkruar Murati.
Madje sipas tij, Prokuroria Speciale nuk ka mision luftimin e korrupsioni e krimit.
“Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet. E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka shtuar tutje Murati.