Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se vaksinimi i qytetarëve nga Serbia në veri të Mitrovicës, tregon gjendjen reale atje.
Ai thotë se sovraniteti i shtetit të Kosovës kalon përmes Kosovës Lindore.
Sipas tij, sa më herët që kjo të kuptohet aq më mirë.
“Qeveritë do të ndërrohen e të rejat do të vijnë, por nëse nuk ndryshohet logjika politike në raport me problemet që Kosova ka me Serbinë, situata në veriun e Kosovës do të mbetet e njëjtë në variantin më të mirë, por më shumë gjasa do të përkeqësohet. Fushata e vaksinimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri nga ana e Serbisë e shpërfaq një gjendje faktike politike atje. Si dje, si sot, si nesër, sovraniteti dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës kalon përmes Kosovës Lindore. Sa më herët që kuptohet aq më i mirë do të jetë rezultati për Kosovën. Sa më shumë që vonohemi, humbjet do të jenë të paevitueshme”, ka shkruar Murati në Facebook.