Murati thotë se vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të jetë 5.5%: Projektet kanë ngecur shkaku i çmimeve

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 15:16 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Murati tha se niveli i shpenzimeve buxhetore për vitin e ardhshëm parashihet të jetë mbi 3 miliardë euro.

Ai tha se pavarësisht krizës në Kosovë po vazhdon trendi i rritjes ekonomike dhe se vitin e ardhshëm pritet që të kemi rritje ekonomike prej 5.5%.

“Siç është raportuar niveli i shpenzimeve buxhetore për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. Kategoria e pagave dhe shtesave ka përbërje 745 milionë euro. Të hyra parashihet prej 2 miliardë 884 milionë euro. Është një buxhet, i cili parasheh konsolidimin fiskal. Parashohim se do të vazhdoj trendi i rritjes ekonomike”.

“Këtë vit me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike është vështirësuar ambienti gjithandej botës edhe ne Kosovë. Kjo nuk  e ka lënë edhe shtetin tonë të pa prekur, por megjithatë kemi arritur që të kemi zgjerim ekonomik. Parashohim që trendi i rritjes të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm ku kemi projektuar një rritje reale 5.5%”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka pyetur ministrin Murati se pse janë zotuar për rritje të pagave dhe rritje të pensioneve dhe kjo nuk është përmbushur.

Ai ka thënë se ju me këtë jeni duke dal si mashtrues.

“Ne kemi një buxhet përpara dhe ajo që menjëherë vërehet është mos përfshirja e ngritjes së pagave që jeni zotuar po ashtu edhe rritja e pensioneve qe këto të dyja i keni premtuar”.

“Janë 600 milionë projekte te investimeve kapitale që nuk janë implementuat. Si ministër nuk guxoni që të jepni premtime dhe te dilni si mashtrues dhe nuk mund të krenoheni për buxhetin nëpër komuna. Keni me dështuar”, tha ai.

Murati duke ju përgjigjur Lekajt tha se projektet kanë ngecur për shkak të rritjes se çmimeve dhe se ka rritje të buxhetit për paga dhe pensione, raporton EO.

“Një pjese e madhe projekteve kanë ngecur nga rritja e çmimeve sepse kompanitë nuk kanë pranuar që të punojnë më këto çmime”.

“Nuk presim që të kemi suficit këtë vit. Sa i përket pagave ka një rritje krahasuar me vitin aktual prej 75 milionë eurove. Sa i përket pensioneve, 610 milionë euro janë parapare për vitin e ardhshëm”.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, duke kritikuar Muratin në lidhje me ndarjen e buxhetit tha se qeveria nuk është duke e përmendur fare inflacionin i cili sipas saj, është rritur për 12.7 për qind.

“Nuk jam anëtare në këtë Komision kam ardhur që ta shoh prezantimin e juaj, u befasova për lëvdatat që i bëtë njëri tjetrit. Inflacioni ka ndikuar, dhe ju këtë nuk jeni duke e përmendur. Nuk duhet me harru që inflacioni është rritur për 12.7 për qind, dhe për shportën e produkteve shumica e gjërave është mbi 50%. Krahasimi me vitin 2020 nuk bënë të krahasohet”.

“Edhe kur do të vije Ligji për pagat në Kuvend. Keni lënë hapësira për keqpërdorime. A jeni duke i prekur shtresat që kanë më së shumti nevojë. Të shtesat e fëmijëve me 10 euro nuk e mbuloni as gjë me rritjen e inflacionit, shtoja 50 euro”, tha ajo.

Murati tha se përqindjet e deputetes Bajrami janë të pasakta.

“Këto janë supozime të pa sakta, te inflacioni është humbje e fuqisë blerëse, jemi munduar që as një familje të mos jetë e pa prekur nga dora e shtetit. Një politikë e gabuar nga ju që na keni lënë barrë neve, e tash është dashtë me nda mjete në për me rimbursuar Trustin” tha ai.

Ai akuzoj LDK-në se janë duke e kundërshtuar Ligjin për vendosjen e çmimit tavan për produktet dhe me këtë sipas tij, opozita nuk e ka hallin për qytetarët por te supermarketet, raporton E.

“Ju jeni duke e kundërshtuar ligjin për vendosjen e çmimit tavan për produktet dhe me këtë nuk e keni hallin e qytetarëve e keni kthyer hallin te supermarketet”, tha ai.

Të ngjashme