Ministri i Punës dhe Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se vendosja e një çmimi tavan për derivatet ka treguar rezultat. Ai theksoi se ka mundësi që të një vendim i tillë të merret edhe për disa nga produktet bazë në vend.
Sipas Muratit kjo është një prej mundësive që të mos lejohet keqpërdorimi me çmimet në vend.
“Çështja tjetër ishte puna me masat e tjera. Siç e keni parë një vendim që tashmë është marrë që ka të bëjë me çmimin tavan për karburantet tashmë po ka efekt. Krahasuar me kohën para se të merrej vendimi, çmimi për naftës është 20 cent më i lirë, për benzinë 30 më i lirë”, tha ai.
Ai shtoi një masë e tillë mund të vendoset në produktet bazë.
“Pra e kemi parë që funksionon një metodë e tillë dhe mund të vendoset edhe për disa prej produkteve bazë. Pra caktohet një çmim tavan në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi me çmimet në produktet bazë”, tha Murati.
“Po vazhdon një abuzim i tillë nga tregtarët që po e shfrytëzojnë situatën. Pra bëhet fjalë për një projektligj të tillë që vendosë çmimin tavan për produktet esenciale që nevojiten për të jetuar”, përfundoi ministri.
Murati ka folur edhe për kërkesat e veteranëve të Kosovës, të cilët duan të përfshihen në këtë ligj e ku pensioni i tyre do të ishte 250 euro. Ai ka thënë se njëherë duhet pastrimi i listave e më pas diskutimi për zgjidhjen e problemit.
“Ne kemi pasur një takim, zyra e kryeminsitri ka marrë përsipër që të dërgoj një prpopozim se si të zgjidhet kjo çështje… po besoj kemi pas një reagim nga OVL UÇK, reagim publik. Po besoj se mund të arrijmë një dakordim me një ligj të ri pas listës së pastruar dhe mund të bisedojmë se si të trajtohet dinjitetshëm kjo kategori e shoqërisë”, tha ai ndër të tjera.
Tutje ministri i Financave foli edhe për konkursin e shpallur nga Ministria për drejtor të ATK-së, për të cilin tha se “ka bazë ligjore”.
Kësisoj, paralajmëroi ai, Ministria do ta sfidojë në gjykatë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyr për Shërbimin Civil.
Ministri Murati ka paralajmëruar ankimim në gjykatë edhe ndaj vendimit të KPMSHCK-së për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë për emërimin e Kryeinspektorit të ri të Punës.
“Ne konkursin e kemi shapllur në bazë të Ligjit për Adminsitratën Tatimore dhe Procedurat. Pra, ka bazë ligjore. Ai mund të jetë vlerësimi i Këshillit. Megjithatë, Zyra Ligjore është duke përgatitur përgjigjen për këtë, por edhe për Inspektoratin e Punës”, deklaroi Murati.
“Ka bazë ligjore vendimi ynë, megjithatë ne do të shfrytëzojmë mundësinë e ankimimit të lëndës në gjykatë”, vijoi ai.