Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati përmes një postimi në llogarinë e tij Facebook ka shkruar për situatën aktuale në vend.
Ai ka numëruar disa nga pasojat nëse rezoluta për çështjen e integritetit territorital do të votohet nga shumica e partive politike.
Ky është postimi i plotë i Muratit:
Shumica e partive politike po thonë se do votojnë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës ku do të përpiqen të betonizojnë çështjen e integritetit territorial dhe ruajtjes së kësaj kushtetute. Çka do të sjell një veprim i tillë i papërgjegjshëm? Çka humb Kosova nëse vazhdohet me këtë qasje jo-vizionare e me këtë status-quo:
– Instalohet asociacioni i cili i kombinuar me privilegjet juridiko-politike të garantuara me kushtetutë shndërrohet në një autonomi politiko-territoriale;
– Fuqia bllokuese (kushtetuese) e serbëve në Kuvendin e Kosovës, do të betonizohet;
Rritje e jofunksionalitetit deri në paralizë të shtetit për shkak të kombinimit të fuqisë së vetos së serbëve për ndryshimet kushtetuese e ligjore dhe asociacionit;
– Pamundësi për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin;
– Kriza të vazhdueshme politike me dhe rreth autonomisë serbe në Kosovë dhe rrjedhimisht pamundësi për t’u marrë me temat jetësore të përditshme sepse përherë në agjendë do të mbeten temat e mëdha;
– Tensione të vazhdueshme etnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve që do ta mbajnë artificialisht lartë temperaturën nacionaliste me mundësi të herëpashershme të konflikteve të kontrolluara në veri;
– Degradim i vazhdueshëm i gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe braktisje nga ana e tyre e trojeve të veta;
– Betonim i ndarjes etnike mbi lumin Ibër, dhe betonim i spastrimit etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës.
– Pamundësi që ndonjëherë të shtrohet çështja e bashkimit me Republikën e Shqipërisë;
– Rrjedhimisht me këtë strukturë kushtetuese dhe asociacionin plus, pas disa vitesh apo dekadash, për shkak të tensioneve të vazhdueshme dhe mosfunksionimit të shtetit, do të ndodhë ndarja, por atëherë do ta kemi Serbinë tek lumi Ibër, dhe gjasat që të shpëtojmë diçka në Kosovën Lindore pothuajse nuk do të ekzistojnë, për shkak të shpërnguljes sistematike që do të ndodhë në të ardhmen.