UNESCO ka futur në listën e trashëgimisë njerëzore “artin e murit të thatë”, si dëshmi e marrëdhënies harmonike mes njeriut dhe natyrës.
Lajmi është konfirmuar pas një postimi të organizatës në llogarinë e saj në Tuiter, ku ka përgëzuar tetë vende të Evropës, të cilat e kanë propozuar nismën për njohjen e traditës së gadishullit: Italia, Kroacia, Qipro, Franca, Greqia, Sllovenia, Spanja dhe Zvicra.
Në motivacionin e UNESCO-s thuhet: “Arti i murit të thatë mbledh të gjitha njohuritë mbi ndërtimin e strukturave të gurit që kanë të bëjnë me vendosjen e gurëve njëri mbi tjetrin, pa përdorur asnjë element tjetër. Ky lloj muri përfaqëson një nga shembujt e parë të prodhimit njerëzor dhe është i pranishëm në shkallë të ndryshme në pothuajse të gjitha rajonet italiane, si për qëllime banimi, edhe për qëllime bujqësore, veçanërisht në zonat me të mbjella”, përcjell Telegrafi.
“Strukturat e ngritura në të thatë janë gjithmonë në harmoni të përsosur me mjedisin dhe teknika ilustron një marrëdhënie harmonike mes njeriut dhe natyrës. Praktika kryesisht transmetohet nëpërmjet aplikimit praktik të përshtatur ndaj kushteve të veçanta të çdo vendi”, thuhet më tej.
Këto mure luajnë një rol jetësor në parandalimin e ortekëve, përmbytjeve, në luftimin e erozionit të tokës, përmirësimin e biodiversitetit dhe krijimin e kushteve më të mira mikroklimatike për bujqësinë.