Ndërtimi i murit në veri të urës së Ibrit po e sfidon Qeverinë e Kosovës. Ekzekutivi i vendit thotë se nuk do t’i tregojë “muskujt” për rrëzimin e këtij muri, por kjo çështje do të trajtohet nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Muri në veri, sipas analistëve, ka betonuar edhe krijimin e Asociacionit
Qeveria e Kosovës nuk do të përdorë “muskujt” si përgjigje ndaj ndërtimit të murit në veri të urës së Ibrit. Kryeministri, Isa Mustafa përgjegjësinë për t’u marrë me këtë problem ia ka hedhur Ministrisë së Mjedisit, Komunës dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se kjo çështje do të trajtohet sipas ligjeve. Në anën tjetër, opozita e fajëson pushtetin për ndërtimin e këtij muri. Sipas opozitarëve, ky mur i jep edhe më shumë të drejtë kauzës së tyre që “Zajednica” të mos funksionalizohet, pasi vlerësojnë që ky projekt është vendimtar për ndarjen apo bosnjëzimin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria do ta trajtojë murin që po ngritët nga autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës sipas ligjeve në fuqi.
“Çështja e murit do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe komuna e cila është e detyruar ta zbatojë ligjin. Po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka projektin komplet për rikonstruktimin e urës”, ka deklaruar Mustafa. Kreu i ekzekutivit, më tej ka thënë se nuk do të ndërmerren hapa të ngutshëm, por gjithçka do të trajtohet sipas ligjit.
“Ne nuk do ta qesim gjoksin dhe nuk do t’i tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e qet ligji dhe ne duhet ta respektojmë ligjin”, ka shtuar Mustafa. (Zeri)