Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thanë të mërkurën se ‘muri që po ndërtohet në afërsi të urës mbi lumin Ibër, në pjesën veriore të Mitrovicës do të rrënohet’.
Ata e cilësuan ndërtimin si një veprim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
Nëpërmjet një komunikate për media ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ngritja e një muri në veri të Mitrovicës është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
“Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e një muri, janë zhvillime shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për gjendjen në atë pjesë të vendit tonë, duke cenuar gjithë arritjet e deritashme për të vendosur normalitet, stabilitet dhe rend”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.
Tahiri ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të veprojë për të ndaluar këtë ndërtim ilegal dhe për të mposhtur logjikën e mureve dhe barrikadave që janë në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë.
“Po ashtu, kam biseduar me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova së cilës ia ngrita këto shqetësime. Një delegacion i BE-së do të arrijë sot në Kosovë dhe kjo do të jetë tema kryesore e takimit tonë”, theksoi ministrja Tahiri.
Mirëpo, Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës veriore ju tha mediave serbe se nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një muri, por për shëtitore përgjatë lumit.
“Gjithçka që këtu që po punohet është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Ai ka thënë se bëhet fjalë për nivelizimin e shëtitores gjegjësisht për në rrugën “Mbreti Pjetër” në këtë qytet”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, zyrtarët komunal në pjesën jugore të Mitrovicës, thonë se ndërtimi i një muri si ai që po ndërtohet pranë urës mbi lumin Ibër në veri, është shqetësim për ta dhe qytetarët.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Safet Kamberi, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i murit nuk është çështje e komunës së jugut, por siç tha ai, vetë pamja e tij është e papranueshme.
“Ndërtimi që ka filluar, ka krijuar një përshtypje dhe një ndjenjë të keqe për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se filloi këto ditë një lloj aktivizimi rreth revitalizimit të urës dhe një qarkullimi, të them kështu, në numër të kënaqshëm të qytetarëve që shkonte çdo ditë duke u rritur. Nga dita e djeshme kjo thënë të drejtën është një ndjenjë e keqe tek qytetartët e Mitrovicës”, tha Kamberi.
Ai tha po ashtu se ndërtimi i murit rrezikon qarkullimin e lirë të qytetarëve me automjete në disa drejtime.
“Muri e rrezikon qarkullimin e mjeteve ne të dy krahët në pjesën veriore edhe në drejtimin e lagjes së Boshnjakëve edhe në drejtim të tre rrokaqiejve dhe Suhodollit”, tha shpjeguar Kamberi.Muri në veri të qytetit të Mitrovicës erdhi pikërisht në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u
zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës.
Ky process u parapa me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.