Vetëm disa orë pas deklaratës së menaxherit të Vedat Muriqit, Haluk Cantar, edhe vetë futbollisti kosovar e ka konfirmuar dëshirën e tij për të luajtur për Galatasarayn sezonin e ardhshëm.
Menaxheri i Vedat Muriqit, Haluk Canatar, tha dje se futbollisti tashmë ka arritur marrëveshje me Galatasarayn dhe gjithçka që mbetet deri të konfirmimi është arritja e një marrëveshjeje edhe mes klubit aktual të Muriqit, Rizesporit, dhe Galatasarayt.
“Ne kemi marrëveshje me Galatasarayn. Vedati planifikon ta vazhdojë karrierën në Galatasaray. Ai është gati të nënshkruajë, ne e kemi arritur marrëveshjen. Tash, Galatasaray duhet të merret vesh me Rizesporin”, u shpreh Canatar.
Fenerbahçe është po ashtu e interesuar për 25 vjeçarin, i cili i ka shënuar 17 gola dhe i ka bërë 8 asistime në 36 ndeshje për Rizesporin sezonin e fundit. Futbollistin e duan edhe në Spanjë, Francë, Belgjikë e Greqi.
Megjithatë, ylli i “Dardanëve” e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta vazhdojë karrierën e tij në Galatasaray.
“Takimet e klubeve janë normale. Ju kam thënë edhe më herët që dua të shkoj në Galatasaray. Pas përfundimit të negociatave, zyrtarët do të më njoftojnë. Ende nuk kam ndonjë lajm por vendimi im është me rëndësi”, ka thënë Muriqi.