Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Turqisë, ka vendosur që të mos e dënojë Vedat Muriqin për shkak kartonit të kuq të marrë ndaj Gaziantepit, në elitën e futbollit të Turqisë.
Në fakt, Muriqi shkëlqeu në atë lojë duke asistuar e shënuar, por në minutën e pestë të shtesës, ndërhyrja e ashpër e tij në kundërshtarin, bëri që ai të përjashtohej nga loja, transmeton KTV.
“Edhe pse futbollisti Vedat Muriqi u ndëshkua me të kuq, nuk kishte vend për ndëshkim të mëtejmë pasi nuk ishin formuar të gjitha elementet e shkeljes së disiplinave dhe me shumicë të votave u votua që ai të mos dënohej”, shkruhet në arsyetimin për mosdënimin e Muriqit.
Sulmuesi i Kosovës, që sivjet ka 11 gola e 4 asistime në elitën e futbollit turk, do të jetë në formacionin e Fenerbahçes kundër Basaksehirit, takim ky që luhet më 25 janar.