Sulmuesi që ka udhëhequr përfaqësuesen në periudhën më të suksesshme të saj është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2019 në Kosovë. Vedat Muriqi ka shënuar katër gola gjatë këtij viti, ndërsa i mungoi përfaqësueses në dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare, ndaj Çekisë në udhëtim dhe Anglisë në shtëpi, shkruan sot Koha Ditore.
Muriqi mungoi edhe në ceremoninë e organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës të premten mbrëma në Prishtinë. Çmimin që i është ndarë Muriqit e pranoi përzgjedhësi Bernard Challandes, një hallkë tjetër e rëndësishme në suksesin e Kosovës gjatë 2019-s.
Sulmuesi prizrenas, Muriqi, kishte shënuar gola në fitoret ndaj Bullgarisë, Çekisë e Malit të Zi e po ashtu në humbjen 5:3 nga Anglia. Ndaj Anglisë kontribuoi edhe me dy asistime.
Por futbollisti i fuqishëm u paraqit në nivel të lartë edhe në ndeshjet e tjera, ndonëse nuk shënoi gol. Është vlerësuar se ka vrapuar shumë, ka punuar shumë për ekipin dhe ka vënë në presion të vazhdueshëm mbrojtjet kundërshtare.
Muriqi është shpallur më i miri i vitit në konkurrencë të fortë me Milot Rashicën e Amir Rrahmanin. Muriqi, sipas FFK-së, nuk ka marrë pjesë në ceremoni pasi në fundjavë e pret ndeshje e rëndësishme me skuadrën e tij, Fenerbahçe. 25-vjeçari kishte munguar në dy ndeshjet vendimtare të Kosovës në eliminatoret për “Euro 2020”, ndaj Çekisë dhe Anglisë, si pasojë e një lëndimi. Pritet të jetë armë e rrezikshme e Kosovës në ndeshjen e plejofit ndaj Maqedonisë Veriore, në fund të marsit.