Në ditën e dytë të punimeve në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, është mbajtur paneli i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, në të cilin janë diskutuar aspekte të përgjithshme të përpjekjeve dhe vendosmërisë së këtyre vendeve për integrim evropian, por, edhe të vet Bashkimit Evropian për të quar përpara proceset e integrimeve.
Në prezantimin e tij para të pranishmëve Zëvendës-ministri Murtezaj ka theksuar, “motivin e lartë të Kosovës në përcaktimin e qartë për integrime evropiane dhe euroatlantike si dhe vullnetin e palëkundur të Institucioneve të Republikës së Kosovës për të kryer pjesën e punëve dhe detyrave në këtë synim”.
Përkitazi me këtë Murtezaj kërkoi që proceset integruese të përshpejtohen, duke nënvizuar këtu përgjegjësinë e Kosovës, por, edhe të komunitetit ndërkombëtarë, që është i përfshirë në këtë proces.
Në këtë diskutim morën pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues nga institucione tjera të rëndësishme, si Komisioni Evropian, BERZH, dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Forumit Strategjik i Bledit është njëri nga organizimet më të rëndësishme, ku diskutohet për zhvillime të gjithëmbarshme globale.