Murtezaj: Ndërhyrja në punë e brendshme të një shteti tjetër është e papranueshme

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 17:27 | Nga

Valon Murtezaj, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, në mandatin e kaluar të ekzekutivit, duke folur rreth kërcënimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se sipas parimeve themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderohet e papranueshme që një Qeveri të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti tjetër.

“Vendet serioze dhe liderët seriozë kanë respekt për njëri-tjetrin edhe kur kanë mospajtime, nganjëherë edhe mospajtime të thella, për sjelljet respektive në vendet e ndryshme. Ne duhet të nisemi nga një parim themelor, i cili është i vlefshëm edhe për ne në Kosovë, që ne nuk përzihemi dhe nuk duhet të merret anë në konfliktet e vendeve të tjera. Megjithatë, nuk lejohen as ndërhyrjet e vendeve të tjera, në territorin apo në sovranitetin e Kosovës në këtë rast”, tha Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Murtezaj vlerëson se deklaratat e Erdoganit, por edhe mosreagimi i Haradinajt, flasin për dy mentalitete të ndryshme të qasjes ndaj politikës, por edhe diplomacisë.

“Ndoshta, nuk duhet që të merremi me secilën deklaratë, mirëpo ajo tregon edhe realitetin dhe mentalitetin qeverisës në atë pjesë të botës. Prandaj, Kosova duhet të ketë një mentalitet qeverisës evropian, të cilin e ka pasur vazhdimisht dhe shpresojmë, si dhe duhet që të gjithë të punojmë që kjo të mbetet vlera themelore, sepse bazamenti i ndërtimit të shtetit të Kosovës është respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Mbi këtë është ndërtuar shteti i Kosovës dhe vetëm mbi këto parime mund të mbijetojë shteti i Kosovës”, tha Murtezaj.

Gjatë një fjalimi të mbajtur në kongresin e rregullt të partisë në pushtet AKP, ditën e diel, presidenti turk Erdogan, ka thënë se “e falënderon presidentin e Kosovës”. Ndërkaq “ kryeministrit i them ‘turp’”, ka thënë Erdogan. Edhe ditën e shtunë presidenti turk ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Haradinajn, duke thënë se “do të paguajë” dhe se së shpejti do t’i përfundojë karriera, për shkak se ky i fundit ka larguar nga detyra kreun e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, për shkak se nuk e kishin njoftuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme