Profesori universitar në Paris, Valon Murtezaj, ka thënë se nëse do ta takonte presidentin e Francës Emmanuel Macron, ashtu siç do të bëjë kryeministri Albin Kurti sot, do të nisej të paktën 48 orë më herët.
Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka deklaruar se katër pikat që kryeministri kosovar i prezantoi në takimin në Bruksel ku ishte përballë presidenti të Serbisë nuk janë më të rëndësishmet që duhen diskutuar.
“Po të kisha pasë që të shkoj ta takoj presidentin numër një të Evropës do të isha nisur 48 orë më herët nga Prishtina – nuk do të lija asnjë rrezik nga rruga, lodhjes nga aeroplani dhe të tjera. Katër pikat që kryeministri i Kosovës i ka shpalosur në Bruksel nuk janë pikat më të rëndësishme që duhet të diskutohen në tavolinën e Brukselit. Janë lënë anash aspektet më themelore, siç është çështja e njohjes, sepse varet çka ofron me shkrim – si komunikim verbal secili mund t’ia thotë dhe fjalët aty i merr era. Është çështje e dokumenteve. Është çështja e reparacioneve të luftës, gama e madhe e dëmeve që Serbia i ka bërë Kosovës.
“Këto katër pika nuk është që nuk janë të rëndësishme, mirëpo nuk janë aspak më të rëndësishmet dhe në çfarëdo lloj procesi negociator ankorimi në procesin e negocimit i përcakton në një masë të madhe fazat e ardhshme të atij procesi. Ky ankorim nuk është më i duhuri”.
Murtezaj ka thënë se pritja që pritet t’i bëhet kryeministrit kosovar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tregon për përkushtimin e Francës për Kosovën dhe vendet e rajonit.
“Franca e pret kryeministrin e Kosovës në nivelin më të lartë. Për këtë vendet presin me muaj ose vite të tëra derisa të vijnë në radhë. Kjo tregon përkushtimin e Republikës së Francës. Franca tani është udhëheqëse bashkë me Gjermaninë dhe në të njëjtën kohë për BE-në çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe i gjithë Ballkani Perëndimor është dimension i sigurisë dhe paqes në Evropë”.
Por, çfarë pritet që të diskutohet sot në takimin e kryeministrit kosovar dhe presidentit francez?
“Mund të pritet gjithçka – prej gjërave të kurtuazisë që janë normale, përkrahja në rrugën evropiane, vizat me siguri se do të jenë çështje dhe përkrahja për dialogun. Kohëve të fundit përdoret terminolgjia për të zgjedhur ‘zgjidhje kreative’ që mund të jenë ose gjëra të reja, por ajo që është më rëndësi është që kryeministri i Kosovës ka mundësi t’i artikulojë synimet e veta për këtë proces sy më sy dhe kokë më kokë me presidentin francez. Brenga jonë është që ne nuk i kemi dëgjuar ato synime të thëna qartë deri sot. Nuk ka pasë platformë adekuate, derisa procesi i dialogut nuk është i thjeshtë dhe nuk mund ta devalvosh edhe nëse nuk i jep rëndësi ti ose njëra palë janë palët tjera që e vlerësojnë. Është në interesin e Kosovës që të dalë mirë në këtë proces negociator”.