Murtezaj për mediat: Puna juaj edhe kur kritikohet mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë

Prishtinë | 02 Shk 2026 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Valon Murtezaj nga LDK ka vlerësuar rolin e medias për t’i mbajtur përgjegjës politikanët për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve dhe për t’i ofruar publikut informacionet, edhe pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ato përballen.

Teksa numërin rolin e rëndësishëm dhe punën e gazetarëve, fotografëve, kameramanëve, producentëve, redaktorëve, ai tha se puna e tyre, edhe kur kritikohet ose kur nuk vlerësohet sa duhet, ajo mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Shkrimi i plot:

Për gazetaret dhe gazetarët, fotografët, operatorët e kamerave, producentët, redaktorët dhe çdo anëtar të medias:

Dua të ju them: Faleminderit.

Ju punoni çdo ditë.

Shpesh, apo dhe zakonisht në kushte të vështira, të pakëndshme ose nganjëherë madje të rrezikshme.

E bëni këtë për të bërë pyetjet që duhet bërë,

për t’i mbajtur pushtetet dhe politikanët përgjegjës për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve,

për t’i dhënë publikut informacionin që meriton.

Ju duroni orë të gjata, ndryshime në sekondën dhe minutën e fundit,

dhe shpesh dëgjoni përgjigje të përsëritura dhe fjalë pa kuptim apo dhe gënjeshtra.

Politikanët ju vendosin në armiqësi, dhe ndonjëherë me sulme të hapura madje ju quajnë edhe mercenarë.

Dhe megjithatë Ju vazhdoni të vini, vazhdoni të përpiqeni të merrni informacione dhe qartësi për t’i informuar të tjerët.

Nga ajo që kam parë përgjatë shumë viteve durimi juaj është i jashtëzakonshëm.

Nejse, nganjëherë edhe insistoni shumë 🙂

Kjo këmbëngulje juaj është e rëndësishme.

Por një gjë duhet ta keni të qartë, puna juaj, edhe kur kritikohet ose kur nuk vlerësohet sa duhet, ajo mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Faleminderit 👏🤝

Të ngjashme