Ilir Murtezaj është kthyer në pozitën e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës. Kështu është bërë e ditur nga një komunikatë nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Murtezaj ishte shkarkuar nga kjo pozitë më 16 tetor të vitit 2020 në kohën e Qeverisë Hoti, me arsyetimin se ishin evidentuar shkelje ligjore. Ai ishte rikthyer në punë përsëri më 8 janar pas një ankese, për t’u suspenduar tri ditë më vonë.
Komunikata njofton se Murtezaj ka mbajtur takim me menaxhmentin e lartë, në të cilin u diskutuan aktivitetet në vijim, planet dhe objektivat për këtë vit.
“Bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës , i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm, andaj Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në zbatimin të vendimit të KPMSHCK me datë 17 maj 2021, ka marrë vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës”, thuhet në njoftim.
Gjatë takim të mbajtur me menaxhmentin e lartë, drejtori Murtezaj ka thënë se do të vazhdojnë që të punojnë më përkushtim aty ku e kanë lënë.
“Prioritetet dhe objektivat e ATK-së do të kenë jetësim, nëse secili prej nesh do të punoj me profesionalizëm dhe dinjitet. Po ashtu, ai tha se jemi dëshmitar që ATK sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë COVID 19, mirëpo, theksoj se ne jemi ata që mund të ri-marrim prapë proceset të cilat janë dëmtuar”, ka thënë ai.