Vendimi për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës në futboll është pasuar me ngritje të madhe në formë nga Florent Muslija. Mesfushori 21-vjeçar po paraqitet me shumë sukses për Hannoverin në fazën përgatitore dhe pritet të jetë prej liderëve të skuadrës që edicionin tjetër do të luajë në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Në qershor Muslija njoftoi se ka vendosur që të luajë për Kosovën në nivel përfaqësuesesh. Ai pritet të grumbullohet që nga shtatori, ndërsa forma e lartë që po kalon do të rrisë gjasat e tij që të jetë titullar te “dardanët”.
Muslija ka lindur në Gjermani dhe ka pesë paraqitje për ekipin U-20 të këtij vendi, shkruan sot Koha Ditore.
Të dielën ai realizoi gol të bukur për Hannoverin, që fitoi 2:1 në miqësore ndaj skuadrës ruse Rostov. Të shtunën Muslija kishte festuar ditëlindjen e 21-të.