Musliu fajëson pushtetin për tendencë të eliminimit të kontrollit parlamentar mbi qeverinë

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 11:30 | Nga Hasan Hoti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ngritur si shqetësim, siç ka thënë tendencën e partisë në pushtet për të eliminuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë, raporton Ekonomia Online.

Musliu në konferencën për media tha se kryetarja e Komisionit për Mjedis e Bujqësi, Fitore Pacolli, ka neglizhuar punën e këtij komisioni me qëllim.

Sipas saj, sidomos mosftesa e ministrit Faton Peci ka për qëllim fshehjen e korrupsionit në Ministrinë e Bujqësisë.

“Në këtë kontekst me një angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerrë në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë. Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale”, tha ajo.

Musliu tha se Pacolli servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin.

“Deputetët e Vetëvendosjes e kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që morën nga qytetarët. Njëra nga këta deputetë të papërgjegjshëm dhe skajshmërisht të dëmshëm për funksionimin institucional është Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lart në vend: Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si anëtare e Komisionit Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim dua të theksoj që Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi përmes së cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar”, tha Musliu. 

Sipas saj pothuajse të gjitha mbledhjet e tjera të komisionit janë thirrur pa i respektuar procedurat dhe rregulloren e Kuvendit.

“Ajo në vend të transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, zgjodhi të mbështesë mendësinë grabitqare, korruptive, nepotiste dhe klienteliste të kësaj Qeverie. Duhet të theksoj se Fitore Pacolli si udhëheqëse e Komisionit në fjalë gjatë gjithë vitit 2024, asnjëherë nuk e ka ftuar në raportim ministrin Peci, përkundër faktit që ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e Komisionit. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu. Për më tepër,  pothuajse të gjitha mbledhjet e tjera të komisionit janë thirrur pa i respektuar procedurat dhe rregulloren e Kuvendit”, theksoi ajo.

Të ngjashme