Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Betim Musliu, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për të krijuar një kuadër ligjor të plotë për parandalimin e korrupsionit, por që ende mbetet pa Strategji edhe përkundër premtimeve, raporton Ekonomia Online.
Gjatë prezantimit të raportit të shoqërisë civile mbi zbatimin e kapitullit II (Masat Parandaluese) dhe kapitullit V (Rikuperimi i Pasurisë) të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në Kosovë, Musliu ka thënë se Kodi Penal (KPRK) ashtu edhe Kodi i Procedurës Penale (KPPRK) në parim përcaktojnë forma të veçanta të veprave penale të korrupsionit dhe ofrojnë një kuadër procedural që siguron procedura të drejta dhe efektive penale.
“Megjithatë, zbatimi efektiv i kuadrit ligjor kundër korrupsionit mbetet i pazbatuar njëherë. Edhe pse ka pasur gatishmëri politike për të rregulluar infrastrukturën ligjore përmes ligjeve themelore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, praktika tregon se institucionet e zbatimit të ligjit kanë dështuar në arritjen e rezultateve të dëshiruara”, ka thënë Musliu.
Musliu ka deklaruar se Kosova aktualisht po dështon të ofrojë një qasje strategjike dhe sistematike për luftimin e korrupsionit, duke theksuar se Kosova nuk ka një Strategji Shtetërore kundër Korrupsionit që nga viti 2019.
Ai shtoi se sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi të publikuar në janar 2024, Draft Strategjia ka probleme thelbësore lidhur me konceptet bazike të sundimit të ligjit. Sipas tij, draft strategjia kishte për qëllim të krijonte mbikëqyrjen kushtetuese të drejtpërdrejtë të akteve nënligjore dhe vendimeve të institucioneve gjyqësore të pavarura, që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese, si një organ i pavarur, është e destinuar vetëm për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, dhe jo si një autoritet mbikëqyrës mbi entitetet e tjera gjyqësore. Ky qasje dëmton ndarjen e pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë. Për më tepër, Draft Strategjia përfshin koncepte të përziera dhe të paqarta në lidhje me pronësinë përfituese dhe atë të mediave, dhe trajton çështje që duhet të jenë nën juridiksionin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, dhe jo të mekanizmave qeveritar”, shtoi ai.
Musliu deklraoi se kjo strategji ende nuk është miratuar ndonëse kjo qeveri ka ardhur në pushtet me sloganin “Drejtësi dhe punësim” dhe lufta kundër korrupsionit ka qenë thelbi i premtimeve paraelektorale.