Ditë më parë portali “Insajderi” ka raportuar se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ka nënshkruajtur kontratën për furnizim me vaksina me Pfizer.
Për këtë, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se Vitia duhet të jep llogari nëse vërtetohet se kjo çështje është neglizhuar.
E ftuar në emisionin Frontal në T7 ajo po ashtu ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosmenaxhim të situatës me pandeminë.
“Nëse do të vërtetohet se kjo çështje është neglizhuar, dikush duhet të jep llogari para qytetarëve. Nuk guxojmë për çfarëdo interesi të neglizhojmë çështjen e vaksinimit të qytetarëve, kur shifrat e vdekjeve i kemi dyshifrore për çdo ditë dhe për çdo neglizhencë që mund të ketë ndodhur duhet të jepet llogari. Kjo qeveri po dëshmon se është e përgatitur në përballje të situatave. Deri tani janë mësuar të kritikojnë e shkatërrojnë, tani po tregohen të paaftë e që nuk po dinë të menaxhojnë me situata”, ka deklaruar ajo.
Musliu po ashtu ka kritikuar Qeverinë për mospranimin e vaksinave kineze nga Shqipëria.
Ajo ka thënë se derisa në Kosovë lejohen mallra të ndryshme serbe, nuk është e logjikshme të refuzohen vaksinat kineze.
“Derisa kemi pranuar teste nga Serbia në fillim të pandemisë. Kina ka qenë vendi i parë ku është shfaqur pandemia, sot nuk flitet për raste në Kinë. Nëse ne i kemi marrë vaksinat nga Shqipëria, ai është vendi i dytë. Derisa i lejojmë në tregjet tona mallrat serbe, nga një shtet armik, nuk është e logjikshme refuzimi i vaksinave kineze”, ka shtuar ajo.