Musliu: Qeveria e Serbisë po vazhdon financimin e grupeve terroriste në Kosovë

Prishtinë | 19 Kor 2025 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Qeveria e Serbisë, përmes të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, po vazhdon financimin e individëve dhe grupeve të lidhura me akte terroriste në territorin e Kosovës.

Sipas Musliut, kjo “zyrë” ka ndarë subvencione për qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, por në mesin e përfituesve janë identifikuar më shumë se dhjetë individë që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

“Kjo dëshmon qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon të financojë grupe terroriste dhe individë të përfshirë në veprime të dhunshme kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në vend dhe më gjerë në rajon”, tha Musliu.

Sipas tij, disa nga individët që figurojnë në listat e përfituesve të subvencioneve dhe që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Banjskë janë:

Stefan Jovanoviq
Veljko Gjorgjeviq
Krsto Damnjanoviq
Nemanja Stankoviq
Danilo Iliq
Stefan Radojkoviq
Momçilo Vuçkoviq
Musliu shton se një pjesë e këtyre personave tashmë po shfrytëzohen nga strukturat e afërta me pushtetin në Serbi për të siguruar mbrojtjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe për të shtypur protestat e studentëve në Beograd, duke u shndërruar në një kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për qytetarët e Serbisë.

Ai theksoi gjithashtu se “Zyra për Kosovën” po shërben edhe për pastrim parash në emër të ndihmës për serbët në Kosovë, ndërsa në realitet ato fonde përdoren për nevoja të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

“Serbia është i vetmi shtet që pretendon anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa njëkohësisht është dëshmuar se ka lidhje direkte me struktura paramilitare dhe terroriste,” u shpreh Musliu.

Në fund, eksperti i sigurisë bëri thirrje që Bashkimi Evropian dhe NATO të reagojnë urgjentisht ndaj këtyre zhvillimeve dhe të marrin masa konkrete ndaj Serbisë për, siç tha ai, “mbështetjen e drejtpërdrejtë të terrorizmit dhe cenimin e stabilitetit rajonal”.

Të ngjashme