Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se votën pro ushtrisë ia dedikon Sylejman Selimit i cili sipas saj po mbahet padrejtësisht në burg, raporton Ekonomia Online.
“Ju uroj bërjen e ushtrisë, votën time ia dedikoj komandantit Sylejman Selimit dhe komandantëve tjerë që padrejtësisht po gjykohen edhe një herë. Ne sot jemi vetëm teknikisht meritorë për ligjin për ushtrinë, meritorë janë ushtarët”, tha ajo
Për nder të ushtrisë ajo është veshur sot me një kapele dhe bluzë të ushtrisë.
Ajo ka thënë se nëse do kishte luftë do të ishte pjesë e saj, pasi që në kokë kishte një kapelë të Ushtrisë.
“Sot secili deputet ndihet sikur kur e kemi votuar Pavarësinë e Kosovës, ky është vendimi kryesor pas Pavarësisë, shpresoj qe do vazhdojmë të jemi krah i aleancave që i kemi pas deri sot”, tha Musliu.
Musliu po ashtu tregoi se në mëngjes ka qenë në vizitë tek Kompleksi Memorial i heronjve në Marinë, për të vizituar varrin e Mujë Krasniqit i cili ditën e sotme ka shënuar 20 vjetorin e rënies, sipas saj nuk ka asgjë më mirë sesa votimi i ushtrisë në këtë ditë.
Deputetja, Blerta Deliu-Kodra tha seanca e sotme e ka vulosur shtetndërtimin e Kosovës.
“Është nga seancat më të rëndësishme që nga Pavarësia. Kuvendi me tri ligjet i jep mesazh të mirë jo vetëm për Kosovën si shtet i pavarur, por edhe me aleatët e saj. Vendimi i sotëm i vulos themelet e UÇK-së”, tha Deliu.