Mustafa akuza BE-së: Po favorizohet Serbia, dialogut po i humb kuptimi

Prishtinë | 31 Tet 2020 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po thotë se dialogu i Brukselit po e humb kuptimin dhe se me sjelljet e Bashkimit Evropian është shndërruar në instrument të Serbisë për të blerë kohë me qëllim të vendosjes në harresë të krimeve.

Mustafa në një reagim të publikuar në faqen e tij zyrtare, ka thënë se Brukseli s’po e vlerëson konstruktivitetin e Kosovës dhe se BE’ja po tenton të hapë tema të cilat janë diskutuar në procesin e Vjenës para shpalljes së pavarësisë.

Lexo Edhe:
I bashkon fatkeqësia: Turqia i ofron ndihmë Greqisë për tërmetin, ngushëllojnë njëra-tjetrën
“Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit””, ka shkruar Mustafa.

Reagimi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Me sjelljet e Sebisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj.

Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Ai e tha të vërtetën!

Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb , tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se “ do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?

Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces. Edhe Kryeministri Hoti po tregon përkushtim shumë konstruktiv.

Por ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE. Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit” .

Kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e vendit tonë, edhepse janë përmbushur të gjitha kriteret, më shumë flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime. Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi. Politikat e izolimit nuk përkojnë me demokracinë dhe kulturën evropiane. Ndërkaq ne nuk heqim dorë nga të qenurit evropian, me territor, me arsim, me kulturë e me ekonomi. As vizat dhe as Serbia nuk na ndalin në këtë rrugë. IM

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme