Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë takimit me menaxhmentin e “Trepçës” ka thënë se “Trepça” i përket minatorëve, i përket Kosovës dhe me askënd nuk do të diskutohet për pronësinë e saj.
Ardhmëria e “Trepçës” është e pakthim. “Trepça” ka marrë rrugën e vet. Ligji në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën e “Trepçës” dhe tani duhet vetëm të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë ligjin. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një vizitë që i ka bërë të hënën “Trepçës” ku është takuar me menaxhmetin me të cilët kanë folur për ligjin e ri.
Kryeministri Mustafa edhe këtë herë ritheksoi qëndrimin e tij se “Trepça” i përket minatorëve, i përket Kosovës dhe me askënd nuk do të diskutohet pronësia e saj. “Ligji i ri e mundëson organizimin e ‘Trepçës’ në interes të punëtorëve të ‘Trepçës’, në interes të qytetarëve të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zgjidhjet në ligj janë të mrekullueshme edhe sa i përket statusit të punëtorëve, edhe sa i përket përfitimeve që do t’i kenë lokalitetet të cilat do të punojë ‘Trepça’. Por, edhe perspektivës e cila do të mundësohet me tërheqjen e investimeve, qoftë publike, qoftë private, qoftë të kombinuara në të ardhmen për procesimin e produkteve të ‘Trepçës’”, ka thënë kryeministri Mustafa pas takimit me menaxhmetin e kësaj ndërmarrjeje.