Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi do të jetë në interes të qytetarëve që të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe qytetarët pastaj ta realizojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë.
Mustafa ka theksuar se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në dobi dhe në interes të qytetarëve të Kosovës.
Këto komente ai i bëri pas përurimit të punimeve për ndërtimin e një ure në Plemetin të Obiliqit.
“Unë nuk shoh ashpërsim të gjuhës, unë shoh vetëm kërkesë të argumenteve. Kjo tryezë duhet të qetë në pah argumentet në qoftë se flitet për humbje të territorit duhet të tregohet se cilin territor që e ka administruar Kosova prej vitin 74 e këndej. Nëse nuk gjendet ai territor ata që kanë krijuar kauzën duhet të tërhiqen nga kauza dhe duhet të votojnë shënimin e vijës kufitare në mënyrë që ne ta përmbushim edhe atë detyrim që kemi ndaj Bashkimit Evropian dhe jo vetëm për liberalizim të vizave, por edhe çështje të tjera të integrimit evropian”, tha kryeministri Mustafa.
“Nuk kemi nevojë të akuzohemi, por t’i shohim argumentet, sepse retorika këtu nuk ndihmon asnjë retorikë vetëm argumentet. E kemi pas një sipërfaqe që e ka pasur Kosova prej viteve 74 e tutje dhe duhet ta shohim se a e kemi atë sipërfaqe sot pasi që është nënshkruar marrëveshja e shënimit të vijës kufitare”, ka shtuar Mustafa.
Më tej ai ka folur rreth bisedimeve me Serbinë për të cilat tha se bisedimet do të vazhdojnë.
Ndërkaq, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, siç tha ai, ndërlidhet më zhbërjen e strukturave paralele të cilat po funksionojnë, “prandaj ky proces do të jetë proces, i cilido të zhvillohet në mënyrë të koordinuar”.