Mustafa: Ata që po shpërndajnë gënjeshtra, po fitojnë vota populiste

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 16:22 | Nga

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka akuzuar partitë rivale se kanë fituar vota populiste duke shpërndarë gënjeshtra kundër tij dhe familjes së tij,

Pasi ka numëruar dhe sulmet fizike kundër tij, Mustafa ka shkruar në faqen e tij në Facebook se “si njeri i këtij vendi prisja një zë qytetar kundër dhunës, gënjeshtrës, huliganizmit”.

“Për fat të keq qytetarët e mi abstenuan. Abstenuan edhe disa deputetë të LDK-së dhe bashkëpartiakë të mi”.

Ai ka drejtuar akuza të rënda edhe ndaj medieve. Ai ka zbuluar se madje as nuk i ndjek lajmet në TV.

Ky është shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Prandaj më lejoni të rrëfehem para jush për disa momente!

1.
Më shpallën të korruptuar. Me 70 dosje!?. Më shpallën antiamerikan dhe antievropian. Më shpallën tradhtar, se i fala 8000 hektarë tokë të Kosovës. Banditët e VV dhe të tjerë ma sulmuan shtëpinë familjare në Prapashticë, në oborrin e së cilës luanin mbesat dhe nipat e mi të pafajshëm. Ma sulmuan me shishe molotovi shtëpinë time në Prishtinë, në të cilën ndodhej e vetme bashkëshortja ime. Më sulmuan me gurë nga pusia në eskortë natën deri sa kthehesha nga Suhareka. Tentuan atentatin me yje metalike të prodhuar enkas për të përmbysur makinën në të cilën udhëtoja për punë. Më gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës dhe sprej në Sallën e Kuvendit, ma gjuajtën makinën gjatë udhëtimit në punë dhe në shtëpi si dhe më gjuajtën në një manifestim në Podujevë.

Nuk u dorëzova para huliganëve, as para atyre që me dhunë dëshironin pushtetin, e as para atyre që e kishin kapur shtetin. Kisha dhe kam besimin në shumicën e qytetarëve tanë dhe në institucionet shtetërore.

Si njeri i këtij vendi prisja një zë qytetar kundër dhunës, gënjeshtrës, huliganizmit. Për fat të keq qytetarët e mi abstenuan. Abstenuan edhe disa deputetë të LDK-së dhe bashkëpartiakë të mi.

Por disa nuk abstenuan të përkrahin ata që demonstruan dhunë e gënjeshtra.

2.
Si kryetar i LDK-së kundërshtova fusnotën, dhe atëbotë ambasadori Dell, pa një e pa dy, më shpalli antiamerikan dhe antievropian dhe se unë nuk përfaqësoja vijën rugoviane të LDK-së. U thash disa shokëve të mi, se po të ishin kohëra tjera, unë do të përjashtohesha nga LDK-ja, e cila është përbetuar për miqësi të përhershme me SHBA-të, por më shpëton vetëm fakti që Dell konsiderohet se është lidhur për kërthize me Hashim Thaçin. Ndërkaq unë e desha dhe e dua Amerikën e cila bëri dhe po bën shumë për Kosovën.

3.
Sa isha Kryetar i Prishtinës, e shihja vetën në ballinat e të përditshmeve me akuza dhe insinuata, ndër më të zezat. E luta bashkëshorten time të mos shikojë shfletimin e gazetave në lajmet e mëngjesit, sepse e përjetonte rëndë. Ndërkaq asistentes time ia ndalova të më sillte shtypin në zyrë. Sot e asaj dite nuk përcjell lajmet në TV.

Vendosa që punën time ta mbështes në besimin mbi vetveten e jo në atë që thonë dhe shkruajnë të tjerët për mua dhe për djemtë e mi.

Kalova situate të vështira sa isha në Komunën e Prishtinës. Kishte ditë që makinat e policisë së instruktuar nga njerëzit e SHIK-ut në polici, kapës të shtetit, deri 12 herë në ditë defilonin para komunës, merrnin në pyetje, arrestonin e lironin zyrtarë me faj e pa faj. Shantazhonin!

Më pat ardhur në zyrë një gazetar, pronar i një portali të tanishëm, dhe më tha që e ndjen për obligim të më njoftojë se një prokuror i Prokurorisë Speciale, me emër e mbiemër, i kishte rrëfyer se ka vendosur të ndjek djalin tim dhe se i ka thanë atij se nuk ka elemente për ndjekje penale, por pa marrë parasysh nuk do ta lë pa e burgosur, pasi është djali i Isa Mustafës. Në fakt ma mbajtën Besnikun, djalin tim, 7 vjet nën hetime e gjyqe, e qitën në ballinat e të gjitha gazetave dhe ekranet televizive, gjithnjë si djalin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe më vonë të Kryeministrit të Kosovës dhe në fund e shpallën të pafajshëm.

4.
Në zgjedhjet e fundit lokale, të vitit 2013, dy ditë para balotazhit, deri sa kisha rreth 9000 vota më shumë se kandidati i VV (Shpend Ahmeti), inskenuan një video në të cilën thuhej se djali im Arbeni i kishte kërkuar një të riu të VV që të kalojë në LDK dhe se për këtë i kishte premtuar tenderë, punësime e përfitime tjera. E shpërndanë në të gjitha anët përmes portalit Indeksonline, përmes KTV-së dhe RTK-së. Djalin tim, nuk vonoi as dy javë, e thirrën me kërkesë të prokurorit për ta marrin në pyetje. Doli që ishte e montuar, gënjeshtër e pastër, por rezultoi dobishëm për VV . Ata që e sajuan rrenën , e shitën në opinion dhe që morën vota me gënjeshtra nuk u ndoqën. Kriminelët e VV ishin të gatshëm me montime të tilla ta qojnë edhe në burg një të ri, baba të dy fëmijëve, vetëm sa për t’ia rritur votën Shpend Ahmetit.

5.
Nuk doli e bazuar as deklarata e ambasadores Jacobson, në kohën kur LDK ishte pjesë e bllokut në vitin 2014, se “VV ka ngritur diku rreth 70 akuza për korrupsion kundër LDK-së në pushtetin lokal në Prishtinë…. Do të thotë se Kosova ka njëfarë tradite të politikanëve të korruptuar”.

Ambasadorja më gjykoi para kohe, por LDK nuk doli e korruptuar me këto dosje dhe as unë si politikan i Kosovës.

6.
Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në kufijtë e marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, dhe prej atëherë asnjë qytetarë, kompani, komunë, institucion shtetëror i Kosovës nuk arriti të argumentoj se një pëllëmbë tokë, të cilën e ka administruar në Kosovë, i ka kaluar në Malin e Zi. Ranë gënjeshtrat politike sikurse edhe mashtrimet “profesionale e shkencore”, por qytetarët mbetën të izoluar.

Në fakt nuk humbën të gjithë. Fituan vota populliste ata që shpërndanë gënjeshtra dhe ata që me gënjeshtra kundërshtuan demarkacionin dhe liberalizimin vizave!? U shpërblyen edhe disa nga banditët dhe kriminelët. Me votën e popullit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme