Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se qeverisja e Vetëvendosjes në Prishtinë nuk u mor me zhvillimin e qytetit, por me propagandim.
Sipas Mustafës, një mandat i tërë i Shpend Ahmetit si kryetar Prishtine kaloi duke u marrë me “një Audi Q7 dhe 70 dosje”.
“Shfrytëzimi i një makine Audi Q 7 nga Vetëvendosje për të bërë propagandë katër vjet rresht, dhe mbajtja e asaj makine në ballinat e mediave kosovare, ‘u shti, s’u shit; ankandi i parë, i dytë, i trete …, u shit më lirë sesa që është blerë…’ , është fenomen i ri në propagandën postbolshevike”, shkruan, pos tjerash, Mustafa në Facebook.
Ky është postimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:
Një mandat, me një Audi Q7 dhe 70 dosje
Propaganda definohet si informatë joobjektive, e cila përdoret para së gjithash për të influencuar një audiencë, për të shtyrë përpara një agjendë të caktuar, shpesh përmes prezantimit selektiv të fakteve dhe përmes gjuhës e cila zgjon emocione dhe jo sjellje racionale për informatën e prezantuar. Propaganda, pra, asocon me qasje manipulative.
Këtë më së miri e ka vërtetuar Revolucioni Bolshevik në Rusi e nacizmi në Gjermani.
Shfrytëzimi i një makine Audi Q 7 nga Vetëvendosje për të bërë propagandë katër vjet rresht, dhe mbajtja e asaj makine në ballinat e mediave kosovare, “u shti, s’u shit; ankandi i parë, i dytë, i trete …, u shit më lirë sesa që është blerë…” , është fenomen i ri në propagandën postbolshevike.
Katër vite trumbetuan për 70 dosje të dërguara në Prokurori të shtetit kundër qeverisjes së Isa Mustafës. Rezultoi, sipas Prokurorisë, se në ato dosje nuk është vërtetuar përgjegjësia ime. Por propaganda e bëri të veten.
Makina Audi Q 7 është një nga qindra makina të kategorisë së tillë ( Toyota, BMË, Mercedes….) që përdoren nga zyrtarë të lartë e të ulët në të gjitha institucionet e Kosovës, në agjencione dhe organizata të pavarura. Makina është një mjet pune, jo luksi. Blerja e asaj makine rezultoi nga nevoja që qitet jashtë përdorimi makina tjetër Taureg VË, gati e të njëjtës kategori, por që shpenzonte rreth 35 litra benzinë në 100 km.
Nuk besoj se Kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi do të merret me sajime të dosjeve dhe me propagandë. Me udhëtimet me jahte të Shpend Ahmetit, fluturimet e tij me aeroplan privat, të bizneseve që operojnë edhe në Prishtinë, për të përcjellë ndeshjet jashtë vendit; me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës në procedurë jo konkurruese (për çfarë një kryetar tjetër i një komune po sillet vërdallë qe 8 vite nëpër gjyqe).
Se a janë, ashtu siç flitet, punësimet e rreth 500 militantëve me kontratë mbi veprën, korrupsion apo jo; se si është bërë shlyerja e borxheve të komunës për mallra dhe shërbime përmes përmbaruesve, dhe pse ka ndodhur kjo; se a është e drejtë që të sillen militantët partiak nga krejt Kosova e të punësohen në shkollat e Prishtinës, duke anashkaluar qytetarët e kësaj komune, e shumë e shumë të tjera.
Mendoj se këto janë çështje të institucioneve përgjegjëse, hetuesisë, prokurorisë, gjyqësisë, por edhe të mediave dhe shoqërisë civile.
Arban Abrashi është përcaktuar të realizojë projekte zhvillimore duke e respektuar ligjin. Ai, sigurisht, do të ndërpresë të gjitha procedurat joligjore në komunë, të cilat janë mbuluar me propagandë.
Me Arban Abrashin, qytetarët do të lirohen nga propaganda, por do të fitojnë në zhvillim të Prishtinës dhe në zgjidhjen e shumë kërkesave dhe problemeve të tyre.