Mustafa: Bajram Rexhepi njeri i fjalës, i dijshëm dhe komunikativ

Prishtinë | 22 Gus 2017 | 13:14 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronatin e Kryeministrit, Isa Mustafa, është mbajtur sot akademi përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit të dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë, Bajram Rexhepi.

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ka thënë se pas kontributit si mjek në frontet e luftës, Bajram Rexhepi u konsiderua njeriu më adekuat të jetë udhëheqës i qeverisë në fazën e parë duke u ballafaquar edhe me sfida siç ishin trazirat e marsit, raporton Ekonomia Online.

“Bajram Rexhepi ishte një personalitet me kontribut shumëdimensional, jo për shkak të pozitave të larta shtetërore që i kreu me përgjegjësi, por për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, në shërbim të çështjes kombëtare, në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Pas kontributit si mjek në frontet e luftës çlirimtare, Bajram Rexhepi u konsiderua personaliteti më adekuat për të qenë Kryeministër i Kosovës menjëherë pas luftës”.

“Bajram Rexhepi ishte bartës edhe i pozitave të tjera shtetërore, por mbi të gjitha ishte personalitet i rëndësishëm politik dhe njeri me autoritet të madh në Kosovë. Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë”.

“Për ne që e njohëm dhe punuam me të në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbahet mend si politikan që e mban fjalën dhe të cilit mund t’i besohej, konstruktiv, i dijshëm, bashkëpunues dhe korrekt. Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme  në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtetndërtimit tonë”.

“Andaj, ndarja nga jeta e Bajram Rexhepit është humbje e madhe për Familjen, për miqtë, për bashkëveprimtarët dhe para së gjithash, edhe për Kosovën. Por, shoqëria dhe shteti ynë do ta kujtoj përherë dhe t’i jetë përherë mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin që ai ka dhënë për Kosovën gjatë gjithë jetës së tij”.

 

Të ngjashme