Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është tërhequr nga idetë për shkëmbime territoresh me Serbinë.
Ai në emisionin DESKU të KTV-së ka thënë se në një takim me të, i është bërë e qartë se LDK-ja nuk do të hyjë në dialog në të cilin bisedohet për territore.
Mustafa ka shtuar se deklaratat e tilla të Thaçit kanë qenë brengosëse në të kaluarën, dhe të njëjtat e kishin shtyrë LDK-në ta përkrahnin ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në idenë e tarifës 100 për qind për mallrat serbe.
“Sa i përket Thaçit, unë them se ai është tërhequr nga fjalori për kompromise të dhimbshme. Ai nuk flet më për Preshevën, Bujanovcin, dhe mundësinë e bashkimit të atyre komunave sepse është e qartë se bashkimi i tyre nuk do të ndodhte vetëm njëanshëm. Është shumë e logjikshme që Serbia nuk hyn në dialog të na falë territor. Unë mendoj që ndoshta publikisht nuk është tërhequr, por në realitet po. Unë kam pasur biseda me të dhe e kam sqaruar pozicionin e LDK-së dhe ia kam bërë të qartë se nuk hyjmë në dialog në asnjë forme në të cilën do të bisedohet për shkëmbim të territoreve pa marrë parasysh se çfarë ndryshimi i kufijve do të jetë ai, sepse një gjë e tillë na kthen para shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet lidhur me figurën e Thaçit dhe kryeministrit Hoti, por me gjithë Kuvendin, pasi sipas tij, marrëveshja duhet të jetë e pranueshme për gjithë qytetarët por edhe për opozitën.
Ndërkaq duke folur për rolin e SHBA-së dhe BE-së në këtë proces, ai ka deklaruar se dialogu nuk do të zhvillohet në dy binarë, pasi sipas tij, asnjëra palë nuk mund ta çojë përpara dialogun pa palën tjetër.
E për takimin e 27 qershorit i cili do të mbahet në Washington, Mustafa ka thënë se nuk dihet ende se çfarë konkretisht do të ketë.
Mustafa ka shtuar se në takim që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Richard Grenell, ai ia ka bërë të ditur se SHBA-ja nuk është për shkëmbim të territoreve.
“Ai është shprehur që dialogu ka për qëllim bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Unë karshi kësaj mendoj që procesi i dialogut nuk do të fillojë në Washington me tema të rënda por me tema atraktive për të dyja palët, si bashkëpunimi ekonomik, zhvillimi ekonomik e tema të tilla”, ka thënë ai.
Ndërkaq në takimin me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ai thotë se ia ka bërë të ditur se qëndrimi i LDK-së është që në dialog të jetë edhe BE-ja, por që të jenë bashkë me SHBA-në.