Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka vazhduar me vizitat e tij në terren, për të ofruar mbështetjen e tij për bujqit e prekur nga dëmet e breshrit dhe reshjeve të fundit të shiut në vendin tonë.
Gjatë ditës, Ministri Mustafa i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri si dhe deputetja Rrezarta Krasniqi, kanë qëndruar në fshatrat e kësaj komune, ku janë njoftuar nga afër me dëmet e shkaktuara në veprimtaritë bujqësore të fermerëve të këtij rajoni.
“Gjatë këtij viti, sektori i bujqësisë ka pësuar dëme të shumta nga breshri dhe reshjet e shiut, të cilat ua kanë vështirësuar veprimtaritë fermerëve tanë. Duke parë gjendjen me të cilën po ballafaqohen, do të angazhohemi në vazhdimësi që të ju ofrojmë mbështetjen për të tejkaluar dëmet e shkaktuara”, ka thënë Ministri Mustafa.
Ministri Mustafa i ka njoftuar ata se tashmë komisionit e përbashkëta mes ministrisë dhe komunave, janë duke e kryer punën e tyre për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve nga breshëri, të cilat do të kompensohen brenda mundësive buxhetore të ministrisë.