Qeveria nuk i është bindur gjetjes së Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) përkitazi me konfliktin e interesit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili njëkohshëm ushtron dy funksione.
Selimi nuk ka hequr dorë nga asnjëri funksion e kryeministri Isa Mustafa vazhdon ta tolerojë këtë situatë, shkruan sot Koha Ditore.
Gati tre muaj më parë kreu i Qeverisë e pati emëruar Selimin në pozitën e koordinatorit nacional në Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e grandeve qindra milionëshe të agjencisë qeveritare amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).
Vendimi ia mundëson Selimit që njëkohshëm të mbajë edhe pozitën e zëvendësministrit në Qeveri. Po kështu, edhe që të realizojë dy lloj të ardhurash nga buxheti i shtetit.
Por Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se “këto dy funksione nuk mund të ushtrohen njëkohësisht për shkak se ekziston konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik”.