Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratës të zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut për Ekonomia Online. Mustafa tha se as që duhet të diskutohet se a duhet të zbatohet marrëveshja e nënshkruar me Serbinë në Washington në shtator të vitit të kaluar.
Mustafa në një përgjigje për T7 tha se në SHBA ndërrohen qeveritë por politikat e tyre ndaj Kosovës gjithherë mbeten konsistente.
“Është papjekuri politike të tentohet të luhet me marrëveshjet me Washingtonin. Marrëveshja është nënshkruar nga një qeveri legale e Kosovës. Çdo gjë që figuron në marrëveshje i takon fushëveprimit të Qeverise”, tha Mustafa.
Ai ka theksuar edhe përfitimet tepër të rëndësishme që i shkojnë Kosovës nga kjo marrëveshje.
“Pjesë e kesaj marreveshje është edhe njohja nga Izraeli, investimet amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit…. a thua dikush do të marrë guxim t’i anulojë. Cili është interesi i Kosovës të veprohet ashtu..”, tha Mustafa.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti para pak ditësh e ka konsideruar si të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e 4 shtatorit, të nënshkruar nga atëherë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si një dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar edhe se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Andaj kjo është vlera e atij dokumenti. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka thënë të premten për Ekonomia Online zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.